Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Ministri izraelit bën thirrje për “marrëveshje gjithëpërfshirëse” me Hamasin për t’i dhënë...

Ministri izraelit bën thirrje për “marrëveshje gjithëpërfshirëse” me Hamasin për t’i dhënë fund luftës në Gaza

David Amsalem

Ministri izraelit i Bashkëpunimit Rajonal, David Amsalem, ka bërë thirrje për një “marrëveshje gjithëpërfshirëse” të shkëmbimit të pengjeve me Hamasin që mund t’i hapë rrugën fundit të luftës në Gaza, transmeton Anadolu.

“Ne duhet të kishim kërkuar një marrëveshje të vetme, gjithëpërfshirëse që nga fillimi”, tha Amsalem për transmetuesin publik izraelit ‘KAN’.

Amsalem tha se një marrëveshje e tillë mund t’i mundësojë Izraelit t’i japë fund luftës së vazhdueshme në Gaza, duke ruajtur kontrollin operativ mbi enklavën palestineze, të ngjashme me qasjen në Bregun Perëndimor të pushtuar.

Sipas burimeve izraelite, Tel Avivi po kërkon një marrëveshje me Hamasin në dy faza, që do të lejojë lirimin e grave, të plagosurve dhe pengjeve të moshuar, e ndjekur nga një marrëveshje më e gjerë për t’i dhënë fund luftës dhe për të lehtësuar tërheqjen e ushtrisë nga Gaza.

Megjithatë, sipas ministrit Amsalem, Izraeli duhet të kontrollojë Korridorin e Filadelfit, e cila është një zonë e çmilitarizuar në kufirin Gaza-Egjipt.

“Kjo është e vetmja gjë për të cilën aktualisht duhet të insistojmë. Çdo gjë tjetër është e negociueshme. Lufta në Gaza mund të vazhdojë për vitet në vijim”, tha Amsalem.

Ai sugjeroi se Izraeli mund të binte dakord të tërheq forcat nga Gaza nëse të gjitha pengjet do të ktheheshin, duke i lejuar ushtrisë të operonte nga jashtë kufirit sipas nevojës duke mbajtur kontrollin mbi korridorin.

Ai gjithashtu hodhi poshtë thirrjet e fundit brenda koalicionit qeverisës të Izraelit, të udhëhequr nga ministri i Sigurisë Kombëtare i ekstremit të djathtë, Itamar Ben-Gvir, për të ringjallur ndërtimin e vendbanimeve në Gaza.

“Ushtria izraelite kurrë nuk synoi të qëndrojë në Gaza për një kohë të pacaktuar. Diskutimet rreth ri-sistemimit në Gaza janë humbje kohe”, tha ai.

Derisa kryeministri Benjamin Netanyahu nuk ka mbajtur një qëndrim përfundimtar për këtë çështje, ministrat e qeverisë së tij mbrojnë hapur zhvendosjen e palestinezëve nga Gaza dhe krijimin e vendbanimeve izraelite në tokat e tyre.

Përpjekjet ndërmjetësuese të udhëhequra nga SHBA-ja, Egjipti dhe Katari për të arritur një armëpushim në Gaza, deri më tani kanë dështuar për shkak të refuzimit të kryeministrit Netanyahu për të ndalur luftën.

Izraeli vazhdon me një luftë gjenocidale në Rripin e Gazës që nga sulmi i Hamasit më 7 tetor të vitit 2023, pavarësisht rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së që bën thirrje për një armëpushim të menjëhershëm.

Muajin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhër-arreste për kryeministrin Netanyahu dhe ish-ministrin e Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Për veprimet në Gaza, Izraeli gjithashtu përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Exit mobile version