Ministri izraelit i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, i ka bërë thirrje qeverisë së tij t’i shpallë luftë Libanit, transmeton Anadolu.
“Ne duhet të fillojmë të përgjigjemi, të sulmojmë. Lufta, tani. (Ministër i Mbrojtjes, Yoav) Gallant, ushtria është përgjegjësi e juaja”, shkroi Ben-Gvir në llogarinë sociale të tij në X.
Thirrja e ministrit të ekstremit të djathtë erdhi menjëherë pasi sot Radio Ushtria Izraelite raportoi se rreth 100 raketa ishin lëshuar në Izrael nga Libani jugor.
Ushtria izraelite u përgjigj duke nisur sulme ajrore në Baalbek, një bastion i Hezbollahut në Libanin lindor, sipas Agjencisë Kombëtare të Lajmeve të Libanit duke lënë një person të vdekur dhe tetë të plagosur.
Ushtria izraelite gjithashtu tha se kishte shënjestruar strukturën e Hezbollahut dhe një ndërtesë ushtarake në qytetin kufitare Bint Jbeil dhe Khiam në Libanin jugor.
Tensioni përgjatë kufirit midis Libanit dhe Izraelit është ndezur mes shkëmbimeve të pandërprera të armëve midis forcave izraelite dhe Hezbollahut, në përleshjet më vdekjeprurëse që kur të dy palët luftuan një luftë në shkallë të gjerë në vitin 2006.
Tensioni kufitar vjen në mes të një ofensive ushtarake izraelite në Rripin e Gazës, që ka vrarë të paktën 31.200 palestinezë pas sulmit ndërkufitar të Hamasit tetorin e kaluar.
Që nga shpërthimi i përleshjeve tetorin e kaluar, të paktën 300 njerëz vlerësohet se janë vrarë në Liban, duke përfshirë 240 luftëtarë të Hezbollahut. Sipas shifrave izraelite, afër 20 izraelitë gjithashtu janë vrarë.