Ministria e Shëndetësisë e Republikës së Kosovës është duke përcjellë me vëmendje zhvillimet në botë në lidhje me pneunominë virale coronavirus.
Lidhur me këtë çështje, Ministri në detyrë i shëndetësisë Uran Ismaili, ka thirrur sot në takim krerët e institucioneve releveante shëndetësore në Kosovë.
Gjatë këtij takimi ministri Ismaili ka kërkuar nga të pranishmit informata rreth situatës së coronavirusit si dhe kërkoi nga të gjithë mekanizmat shtetëror e institucional, që të jenë në gatishmëri në rast të paraqitjes së ndonjë rasti të dyshimtë.
Drejtori Ekzekutiv i IKSHPK-së, Prof. Dr. Naser Ramadani, ka konfirmuar se në Kosovë nuk ka asnjë rast me coronavirus dhe se rrezikshmëria për këtë virus në vendin tonë është e ulët.
Drejtori i SHSKUK-së, Basri Sejdiu, konfirmoi se si institucion janë të gatshëm për menaxhimin e rateve evantuale dhe përcjelljen e situatës epidemiologjike.
Drejtoresha e Klinikës Infektive, Lindira Ajazaj-Berisha, ka thënë se tashmë ka bërë përgatitjet e nevojshme sa i përket repartit të izolimit në rast të paraqitjes të ndonjë rasti që do të ketë nevojë për masa izolimi.
Gjatë kësaj jave ministri Ismaili do të ftoj edhe Komitetin Nacipnal për sëmundje ngjitëse për të diskutuar situatën dhe nivelin e gatishmërisë.
Institucionet shëndetësore në Kosovë sigurojnë të gjithë qytetarët se janë duke marrë të gjitha masat adekuate, sipas rekomandieve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.