Ministri i Shëndetësisë i Gjermanisë, Jens Spahn, alarmoi për rritjen e rasteve me koronavirusin e ri (COVID-19), duke bërë thirrje që të gjithë të vaksinohen, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Me shumë gjasa deri në fund të këtij dimri, pothuajse të gjithë në Gjermani do të jenë të vaksinuar, të shëruar ose të vdekur. Disa e thonë këtë në mënyrë cinike, por në të vërtetë kështu është”, tha ministri Spahn në një konferencë për media në Berlin.
Gjermania po përballet me valën më të rëndë të koronavirusi, pasi rastet aktive arritën në nivelin rekord prej 637.200.
Spahn bëri thirrje të vaksinohen edhe ata që ende kanë dyshime rreth vaksinave, duke theksuar se kjo ofron një mbrojtje të fuqishme kundër sëmundjes së rëndë nga COVID-19.
Ai gjithashtu tha se marrja e vaksinës nuk është vetëm një zgjidhje personale, por një përgjegjësi morale dhe sociale, pasi siç u shpreh ai, të pavaksinuarit lejojnë përhapjen e virusit.
Shkalla e vaksinimit në Gjermani mbetet shumë poshtë 75 përqindëshit, që është synimi i qeverisë, për të cilin ekspertët thonë se është një përqindje e nevojshme për të parandaluar rritje eksponenciale të rasteve të reja.
Përkundër fushatave qeveritare për ngritjen e vetëdijes publike, shumë persona ende janë skeptikë rreth vaksinave kundër koronavirusit.
Deri më sot, 56,5 milionë njerëz, ose 68 për qind e popullatës së Gjermanisë, janë vaksinuar plotësisht kundër koronavirusit. /aa