Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Ministri i Jashtëm turk do të marrë pjesë në takimin e NATO-s...

Ministri i Jashtëm turk do të marrë pjesë në takimin e NATO-s në Bruksel

Ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan do të udhëtojë në Bruksel për të marrë pjesë në takimin dyditor të ministrave të jashtëm të NATO-s që fillon sot, transmeton Anadolu.

Sipas burimeve diplomatike turke, takimi në selinë e aleancës do të mbahet në tri seanca.

Në seancën e parë, ku do të marrë pjesë edhe mbreti i Jordanisë, Abdullahu II, do të diskutohet kriza në Lindjen e Mesme dhe bashkëpunimi ndërmjet NATO-s dhe Amanit.

Ministri i Jashtëm ukrainas Andrii Sybiha dhe Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë Kaja Kallas pritet të marrin pjesë në seancën e Këshillit NATO-Ukrainë.

Në këtë seancë do të diskutohet situata më e fundit në terren në luftën Rusi-Ukrainë, e cila filloi në shkurt 2022.

Fidan pritet të përsërisë mbështetjen e Ankarasë për sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të Kievit, duke theksuar nevojën për të lejuar diplomacinë t’i japë fund luftës, si dhe t’i kërkojë BE-së të respektojë angazhimet e saj me shkrim ndaj aleatëve jashtë BE-së.

Ministri i Jashtëm turk pritet të zhvillojë edhe takime dypalëshe me homologët e tij në margjinat e takimit.

Takimi do të drejtohet nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte, i cili mori detyrën më 1 tetor.

Exit mobile version