Ministri i Jashtëm turk do të marrë pjesë në bisedimet për Sirinë në Riad

Ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan do të marrë pjesë të dielën në një takim për Sirinë në kryeqytetin saudit, Riad, transmeton Anadolu.

Takimi do të vazhdojë diskutimet nga mbledhja e mëparshme në Akaba të Jordanisë, thanë burime diplomatike.

Fidan vizitoi Jordaninë më 14 dhjetor 2024 për të marrë pjesë në një takim për Sirinë dhe gjithashtu u takua me homologun e tij jordanez Ayman Safadi.

Takimi në Riad do të fokusohet në stabilitetin e Sirisë, me Fidanin që pritet të nxjerrë në pah rëndësinë e integritetit territorial dhe unitetit të vendit, nevojën për hapa sistematikë të rindërtimit dhe zgjerimin e mundshëm të përjashtimeve nga sanksionet.

Në takim do të marrin pjesë gjithashtu ministrat e jashtëm të Sirisë dhe anëtarëve të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit (GCC) – Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Katari, Kuvajti, Bahreini dhe Omani – së bashku me ministrat e jashtëm të Irakut, Libanit, Jordanisë, Egjiptit, Britanisë dhe Gjermanisë.

SHBA-ja dhe Italia pritet të përfaqësohen nga zëvendësshefat e diplomacisë.

Përfaqësuesja e Lartë i BE-së për Çështjet e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Sekretari i Përgjithshëm i Ligës Arabe, Sekretari i Përgjithshëm i GCC-së dhe I Dërguari i Posaçëm i OKB-së për Sirinë mund të marrin pjesë gjithashtu në mbledhje.

Më 1 janar, liderët e rinj të Sirisë realizuan vizitën e tyre të parë zyrtare të jashtme në Arabinë Saudite, më pak se një muaj pas rrëzimit të ish-liderit të regjimit sirian Bashar al-Asad më 8 dhjetor.