Ministri i Jashtëm spanjoll: Jemi në prag të një lu’fte rajonale gjithëpërfshirëse

Jose Manuel Albares

Ministri i Jashtëm i Spanjës, Jose Manuel Albares tha se konfliktet midis Izraelit dhe Hamasit të cilat filluan një vit më parë, u përshkallëzuan në mënyrë të paparashikueshme në atë kohë dhe “erdhën në prag të një lufte rajonale gjithëpërfshirëse”, transmeton Anadolu.

“Edhe pse jo në fillim, ne jemi në prag të një lufte rajonale gjithëpërfshirëse dhe kjo duhet të shmanget me çdo kusht”, tha Albares në një deklaratë për radion “Onda Cero”.

“Fatkeqësisht, ne po përballemi me një moment të përshkallëzimit të luftës që do të kishte qenë i paimagjinueshëm një vit më parë. Situata është jashtëzakonisht e rëndë”, tha Albares, duke deklaruar se politika e jashtme e Spanjës që nga 7 tetori 2023 ka punuar për të shpallur armëpushim emergjent dhe për të parandaluar një luftë rajonale.

Pasi vuri në dukje se politika e jashtme e Spanjës në Lindjen e Mesme është “të garantohet që Izraeli të jetojë në paqe dhe siguri për ngritjen e zërit kundër vdekjeve të patolerueshme të civilëve në Gaza dhe të mos tregohet tolerancë ndaj sulmit kundër një shteti sovran në Liban”, Albares shtoi se ” Spanja kërkon nga të gjithë aktorët vetëpërmbajtje dhe të marrin përgjegjësi”.

Duke theksuar se “rregullat dhe kufijtë e luftës janë tejkaluar” në Lindjen e Mesme, kryediplomati spanjoll tha se ata dënojnë ashpër sulmet e Hamasit dhe Hezbollahut, të cilat i përcaktoi si “organizata terroriste”, se gjithashtu dënojnë edhe sulmet e Izraelit dhe së fundmi të Iranit.

– Spanja dërgon 2 avionë ushtarakë në Liban për të evakuuar qytetarët e saj

Ministrja spanjolle e Mbrojtjes, Margarita Robles, në një deklaratë për televizionin spanjoll “Antena 3” bëri të ditur se nesër do të dërgojnë në Liban 2 avionë ushtarakë për 350 spanjollët që duan të largohen nga vendi.

Ajo tha se janë bërë të gjitha përgatitjet për evakuimin e qytetarëve spanjollë në Liban.

“Gjithçka është gati. Spanja dhe qeveria spanjolle nuk i kanë lënë qytetarët spanjollë vetëm askund në botë. Edhe në Liban ne do të bëjmë atë që bëmë në Afganistan, në Nigeri dhe Sudan. Por, e gjithë bota e di situatën në hapësirën ajrore. Avionët spanjollë janë gati”, tha Robles.