Ministri i Jashtëm sirian në Katar, apelon për heqjen e sanksioneve nga Perëndimi

Asaad Hassan al-Shibani

Shefi i ri i diplomacisë siriane, Assad al-Shibani, apeloi sot nga Doha për heqjen e sanksioneve ndërkombëtare kundër vendit të tij, gjatë vizitës së tij të parë zyrtare në Katar.

Shibani, i shoqëruar nga ministri sirian i Mbrojtjes Murhaf Abu Kasra dhe shefi i inteligjencës Anas Khattab, u takua me kryeministrin e Katarit Mohammed bin Abdelrahman al-Thani.

Kryeministri i Katarit “përsëriti qëndrimin e vendit në favor të unitetit, sovranitetit kombëtar dhe pavarësisë së Sirisë”, sipas një njoftimi për shtyp nga ministria e jashtme.

Perëndimi vendosi sanksione ndaj qeverisë së Bashar al-Assad pasi ajo shtypi një kryengritje popullore në vitin 2011 që shkaktoi një luftë që ka vrarë më shumë se 500,000 njerëz, ka çuar miliona në mërgim dhe ka shkatërruar vendin. /abcnews