Ministri i ri i Jashtëm i Sirisë, Asaad al-Shaibani, mbërriti sot në kryeqytetin e Katarit Doha, duke relizuar vizitën e tij të parë në vendin e Gjirit, transmeton Anadolu.
Shaibani shoqërohet nga ministri i Mbrojtjes Murhaf Abu Qasra dhe shefi i inteligjencës Anas Khattab gjatë vizitës, njoftoi agjencia shtetërore siriane e lajmeve SANA.
Vizita e së dielës shënon vizitën e parë zyrtare në Katar nga zyrtarë të administratës së re të Sirisë që nga rënia e regjimit të Bashar al-Asadit muajin e kaluar, për të eksploruar mundësitë e bashkëpunimit midis dy vendeve, tha SANA.
Pas vizitës së tij të parë jashtë shtetit në Arabinë Saudite, Shaibani zbuloi të premten synimin e tij për të vizituar Katarin, Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) dhe Jordaninë.
Katari ishte një nga vendet e para që shprehu mbështetje për Damaskun pas rrëzimit të Asadit.
Të shtunën, ministri i Shtetit i Katarit për Punët e Jashtme Mohammed Al-Khulaifi diskutoi me Shaibanin mënyrat për të përmirësuar bashkëpunimin midis Dohas dhe Damaskut gjatë një telefonate, sipas autoriteteve të Katarit.
Khulaifi vizitoi Damaskun më 23 dhjetor, ku u takua me udhëheqësin e administratës së re të Sirisë, Ahmed al-Sharaa, për të diskutuar mënyrat për të forcuar marrëdhëniet dhe për të mbështetur të ardhmen e Sirisë.
Assad, lideri i Sirisë për gati 25 vjet, u arratis në Rusi pasi grupet kundër regjimit morën kontrollin e Damaskut më 8 dhjetor, duke i dhënë fund sundimit prej dekadash të familjes së tij.