Ministri i Jashtëm i Italisë është i shqetësuar për përshkallëzimin e përplasjeve mes Iz’raelit dhe Libanit

Ministri i Jashtëm i Italisë tha sot se është i shqetësuar për intensifikimin e përleshjeve midis Izraelit dhe Hezbollahut përtej kufirit jugor me Libanin, duke shtuar se Italia mbështet përpjekjet ndërmjetësuese të SHBA-së që synojnë stabilizimin e situatës, raporton Anadolu.

“Në muajt e fundit ne kemi qenë dëshmitarë të një intensifikimi të përleshjeve midis ushtrisë izraelite dhe Hezbollahut”, tha Antonio Tajani në Komisionin e Punëve të Jashtme të Parlamentit të Italisë.

“Këto dinamika konfirmojnë lidhjen e ngushtë midis operacioneve ushtarake në Gaza dhe në Libanin jugor”, shtoi ai.

“Nuk është e rastësishme që ringjallja e fundit e luftës në Liban përkon me ngecjen e bisedimeve për një armëpushim midis Hamasit dhe Izraelit dhe me fillimin e ofensivës në Rafah”, shtoi ai, duke iu referuar qytetit jugor të Gazës, që shërbente si strehë për mbi një milion njerëz, por ishte në shënjestër të Izraelit, duke tërhequr reagime ndërkombëtare.

Tajani tha se Italia mbështet çdo veprim që synon stabilizimin e kufirit jugor të Libanit, duke nënvizuar se “mbështet me bindje ndërmjetësimin e SHBA-së”.

“Ne duhet të shmangim shumëzimin e niveleve të ndërmjetësimit dhe të mbajmë një nismë unike dhe koherente diplomatike”, shtoi ai.

Tajani tha gjithashtu se ndërsa Italia respekton disa vende evropiane që kanë marrë vendime për të njohur shtetin palestinez, veprime të tilla të njëanshme mund të jenë kundërproduktive.

“Një zgjidhje efektive dhe e qëndrueshme mund të dalë vetëm nga negociatat me Izraelin”, u tha ai ligjvënësve.

Ai tha se qeveria italiane është plotësisht e bindur për nevojën për të arritur në një afat të shkurtër krijimin e një shteti palestinez, i cili do të njohë Izraelin dhe të njihet edhe nga Izraeli.