Ministri i Punëve të Jashtme të Austrisë, Alexander Schallenberg, pas takimit me ministren e Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, ka thënë se Kosova dhe Austria kanë marrëdhënie të shkëlqyera në të gjitha fushat.
Kryediplomati austriak, tutje u shpreh se situata në Ukrainë duhet të shërbej si thirrje që BE-ja të zgjohet dhe të trajtoj anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në familjen e saj.
“Kemi marrëdhënie të shkëlqyer në gjitha fushat. Një gjë është e qartë, vizita ime po bëhet në kohën kur nuk është situatë e zakonshme… Ne duhet të kemi parasysh që Moska e ka mundësinë të bëjë destabilizim të rajonit, dhe kjo gjë na ngreh neve zilet e alarmit. Sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës, është thirrje për të zgjuar BE-në për të trajtuar synimin e anëtarësimit në BE dhe kjo nuk ka qenë asnjëherë më e rëndësishme se tani”, tha Schallenberg.
Schallenberg bëri thirrje që të hiqen vizat për Kosovën si dhe të hapen negociatat për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.
“Të hapen negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, dhe të bëhet liberalizimi i vizave për Kosovën. Austria do ta kërkoj këtë gjë në mënyrë aktive, e kemi bërë në të kaluarën dhe do të vazhdojmë ta bëjmë”, u shpreh ministri i jashtëm austriak.ë
Schallenberg përmendi edhe çështjen e dialogut Kosovë-Serbi, ku tha se në fund të këtij procesi duhet të ketë normalizim të plotë dhe njohje, e cila sipas tij nuk vihet në dyshim fare.