Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Ministri ekstremist izraelit futet në Mesxhid Al-Aksa nën mbrojtje policore

Ministri ekstremist izraelit futet në Mesxhid Al-Aksa nën mbrojtje policore

Foto nga arkiva

Ministri i Sigurisë Kombëtare i ekstremit të djathtë të Izraelit, Itamar Ben-Gvir, është futur në kompleksin e xhamisë Al-Aksa në Kudsin Lindor të pushtuar, duke shënuar një provokim të ri mes luftës së vazhdueshme në Gaza, transmeton Anadolu.

Ben-Gvir hyri në kompleksin e shenjtë nën mbrojtje të fortë policore dhe vizitoi oborrin e xhamisë, tha një zyrtar i Departamentit të Vakëfeve Islame të Kudsit të drejtuar nga Jordania.

Kjo ishte vizita e pestë e ministrit ekstremist në kompleks që kur ai iu bashkua qeverisë së kryeministrit Benjamin Netanyahu në vitin 2022. Hyrja e tij përkoi me festën njëjavore hebreje Hanukkah, e cila filloi sot.

Aleanca Kombëtare Demokratike, një parti arabo-izraelite, dënoi vizitën e Ben-Gvirit në kompleksin e Al-Aksa-së si një “provokim të qëllimshëm ndaj ndjenjave të arabëve dhe muslimanëve në mbarë botën”.

Partia u bëri thirrje palestinezëve që të intensifikojnë praninë dhe vizitat e tyre në xhami. Që nga viti 2003, Izraeli ka lejuar kolonët e paligjshëm në kompleks pothuajse çdo ditë, me përjashtim të të premteve dhe të shtunave.

Xhamia Al-Aksa është vendi i tretë më i shenjtë në botë për muslimanët. Hebrenjtë e quajnë këtë zonë Mali i Tempullit, duke pretenduar se ishte vendi i dy tempujve hebrenj në kohët e lashta.

Izraeli pushtoi Kudsin Lindor, ku ndodhet Al-Aksa, gjatë Luftës Arabo-Izraelite të vitit 1967. Ai aneksoi gjithë qytetin në vitin 1980, hap ky që nuk u njoh kurrë nga komuniteti ndërkombëtar.

Exit mobile version