Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian (BE) për Marrëdhëniet e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell tha se ministrat e vendeve anëtare të BE-së do të mblidhen nesër nëpërmjet video-konferencës për të biseduar mbi zhvillimet në Afganistan, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë nga llogaria e tij Twitter, Borrell tha se “Afganistani ndodhet në një rrugë ndarjeje. Krahas sigurisë dhe mirëqenies së shtetasve afganë, bëhet fjalë edhe për sigurinë ndërkombëtare”.
Ai njoftoi se ministrat e Jashtëm të BE-së nesër do të zhvillojnë një takim të jashtëzakonshëm nëpërmjet video-konferencës për të bërë një vlerësim paraprak.
Procesi i dominimit të talebanëve në vend
Në kuadër të marrëveshjes së paqes të arritur në shkurt 2020 mes SHBA-së dhe talebanëve, këtë vit filloi procesi i tërheqjes së forcave ndërkombëtare nga Afganistani.
Marrëveshja parashikon që të mos sulmohen forcat e huaja, ndërkohë që nuk parashikon ndonjë dispozitë në lidhje me veprimet e talebanëve ndaj forcave afgane të sigurisë.
Me sulme të ashpra të ndërmarra në mënyrë të njëkohshme që nga qershori e deri më tani talebanët morën nën kontroll me shpejtësi shumë rajone dhe qendra provinciale në Afganistan në muajin e fundit.
Talebanët filluan të marrin nën kontroll të gjithë qytetin me largimin e presidentit Ashraf Ghani nga vendi dhe me largimin e forcave qeveritare nga kryeqyteti.