Fidan Mustafa : *Njohës i zhvillimeve gjeopolitike e gjeostrategjike për Ballkan me objektiv shqiptarët e shekullit XXI
Debatet e fundit rreth iniciativës së një mini-shengeni ballkanik, veçmas nga vendet jo anëtare të BE-së, ka ngjallur reagime dhe opinione të ndryshme tek pala shqiptare. Gjykimet rreth kësaj iniciative deri tani janë të natyrës më shumë personale sesa tek përmbajtja dhe mundësitë që sjell kjo iniciativë në të ardhmen për Shqiptarët në përgjithësi.
Tek pala kosovare, opinioni i përgjithshëm bazohet tek protagonistët e kësaj iniciative dhe frika nga paaftësia për t’u ballafaquar në të ardhmen në tryezën e këtyre diskutimeve. Argumentet e sjella nga figurat politike në Kosovë, argumentojnë gjoja se ky mini-shengen i hap rrugën një “Jugosllavie” të re në Ballkan dhe se orientimi i vetëm i Kosovës është BE dhe NATO.
Sipas presidentit të vendit, z. Hashim Thaçi, ndjehet i tradhtuar nga homologët e tij presidenti Vucic dhe kryeministri Rama, për anashkalim gjatë takimit të parë me Serbisë. Së dyti sipas presidentit Thaçi, Kosova synon vetëm anëtarësim në BE dhe NATO, çka në fakt demanton gjithë rrugëtimin e tij politik të deritanishëm në raport me bisedimet me presidentin e Serbisë Aleksandër Vucic mes Kosovës e Serbisë.
Për ish kryeministrin Isa Mustafa, njëherit kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, iniciativa e mini-shengenit qon rajonin drejtë “Jugosllavisë” së re pa Kroacinë por me Shqipërinë. Ndërkaq, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, z. Albin Kurti, iniciativën për mini-shengen e sheh si një proces të nevojshëm por me korrigjim të hapave drejtë kësaj iniciative. Sipas tij, ky proces duhet të fillohet nga Shqipëria e Kosova, pastaj vendet tjera të rajonit dhe krejt në fund edhe Serbia.
Për sqarim të opinionit shqiptar, Kosova tashmë ka marrëveshje për lëvizje të mallrave me gjitha vendet e rajonit përmes marrëveshjes CEFTA. Gjithashtu, Kosova ka marrëveshje të lëvizjes së lirë të qytetarëve të saj me Serbinë, Maqedoninë Veriore dhe Shqipërinë. Ku kufiri kalohet vetëm përmes letërnjoftimeve të këtyre vendeve. Po ashtu, në prill të këtij viti, 2019, Shqipëria, Kosova, Maqedonia Veriore, Bosnja e Hercegovina, Mali i Zi dhe Serbia, arritën edhe një marrëveshje tjetër në gjitëhpërfshirje të interesave ballkanike, atë të fushës së telekomunikacionit. Një marrëveshje për heqjen e çmimeve të shërimit roming.
Me fjalë të tjera, “mini shengeni” ballkanik tashmë ekziston në gjitha marrëveshjet e vendeve të rajonit. Ajo çdo ditë gjen zbatimin e saj para syve tanë dhe pikërisht këto marrëveshje janë nënshkruar nga protagonistët e njëjtë që sot po kundërshtojnë një iniciativë të tillë. Këto marrëveshje sot janë prezente me nënshkrime të presidentit aktual Hashim Thaçit, ish kryeministrit Isa Mustafa dhe dhjetëra figurave tjera nga delegacionet e Kosovës gjatë dekadës së fundit.
Çka humb Kosova nga kjo mospjesëmarrje?
Së pari: kundërshtimi i idesë duhet të vij brenda tryezës jo nga pozicioni i spektatorit, pasi që një pozicion i tillë nga ana e Kosovës, krijon hapësirë për përfaqësim nga të tjerët, prandaj edhe treshja, Vucic, Rama dhe Zaev, prezantuan hartën e këtij “mini shengeni” pa Kosovën si shtet. Sikurse të ishte përfaqësimi i Kosovës aty, ky fakt do të eliminohej fillimisht:
Së dyti: përmes kësaj tryeze, duhet të kërkohet që Kosova të përfaqësohet si palë e barabartë shtetërore, ku flamuri, stema dhe harta e Kosovës të jetë prezente në çdo takim dhe dakordim të ardhshëm;
Së treti: duke qenë pjesëmarrës Kosova brenda këtyre iniciativave rajonale, do i hapte rrugë që paraprakisht të arrihet marrëveshje me Shqipërinë, Maqedoninë, Malin e Zi dhe në fund edhe me Serbinë. Dhe se askush nuk do të kishte të drejt të kundërshtonte një vendim të këtillë, as edhe Serbia;
Së katërti: Kosova do të futej me të drejta të barabarta, pa devijuar asnjë çast orientimin strategjik të Kosovës drejtë BE-së dhe NATO-së, në partneritet të ngushtë me Shtetet e Bashkuara dhe madje anën tjetër do të izolonte raportet Ruso-Serbe për Ballkanin;
Së pesti: pjesëmarrja e Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë në këtë format të bisedimeve, do të minimizonte jashtë mase ndikimin serb në rajon. Ndërkaq mospjesëmarrja e Kosovës, i ofron Serbisë shfajësimin para faktorit ndërkombëtar dhe anën tjetër të ‘drejtën’ që Kosovën të prezanton si pjesë integrale të saj siç edhe ndodhi;
Së gjashti: pjesëmarrja e Kosovës në “mini shengenin” e mundshëm, nuk i rrezikon asnjë lloj të drejte për vendosjen e masave të reciprocitetit me Serbinë, përkundrazi mendoj se vetëm se do të fuqizonte më tej një vendim të tillë në rast se do të kërkonte nevoja.
Si përfundim, fitoret politike nuk arrihen përmes bojkoteve dhe vetizolimeve. Fitoret politike e diplomatike arrihen përmes vizionit, urtësisë dhe largpamësisë shqiptare për dekadat e ardhshme. Sot Serbia çdo vit humb rreth 70.000 qytetar nga disproporcioni i natalitetit me mortalitetin. Shqiptarët në Ballkan, përkundër rënieve, ende kanë një natalitet vjetor prej 50.000 lindjesh dhe me një politik ma objektive këtë natalitet shqiptarët do të shtonin edhe më shumë.
Droja nga një “Jugosllavi e re” është jashtë çdo logjike dhe përfundimi praktik. Për faktin sepse kur u formua Jugosllavia e parë dhe e dytë, Kosova nuk përfaqësonte asnjë element kombëtar para faktorit të jashtëm dhe ishte plotësisht e shkapërderdhur, Shqipëria ishte e minuar nga mendësitë e ngushta politike të brendshme, ndërsa shqiptarët e Maqedonisë së atëhershme ishin po ashtu të nënshtruar në çdo aspekt.
Pas kaq dekadash, sot pozicioni shqiptar në rajon është i jashtëzakonshëm në gjitha aspektet. Sot kemi dy shtete e tri parlamente shqiptare. Sot kemi një mërgatë rreth 12 milion shqiptarësh që janë një fuqi e madhe ekonomike, diplomatike e politike. Sot shqiptarët kanë një pozicion të jashtëzakonshëm gjeopolitik e gjeostrategjik. Shqipëria përfaqëson bazën më të madhe ajrore të NATO-së në Ballkan dhe Evropë përmes asaj të Kuçovës, ndërsa Kosova përfaqëson bazën më të madhe të NATO-së në Ballkan dhe bazën më të madhe Amerikane gjithashtu.
Sot shqiptarët kanë një pozicion të jashtëzakonshëm gjeostrategjik e gjeopolitik. E vetmja gjë që kërkohet nga lidershipi shqiptar është: Të mendojmë racionalisht, larg agjendave politike, me maturi, urtësi dhe të formohen projektet gjeostrategjike për shqiptarët ballkanik që do t’i nevojiten në shekullin XXI. E ardhmja i takon vizionarëve, e kaluara i takon kritikëve partiak për mbijetesë politike.