Përbërësit për 5 mini pavlova:
* 2 të bardha veze në temperaturë ambienti (vezë të mëdha)
* gjysmë filxhan çaji sheqer (=100 g)
* gjysmë zarfi vanilje
* një lugë e vogël me lëng limoni
* një paketim i vogël pana për ëmbëlsira (panna da montare 200 ml) – duhet e ftohtë nga frigoriferi
* 200 gr luleshtrydhe të pastruara dhe të prera në copa
* 2-3 lugë gjelle sheqer në varësi sa të ëmbla janë luleshtrydhet
* një lugë gjelle lëng limoni
* gjysmë lugë gjelle niseshte e tretur në dy lugë gjelle ujë
* një copë çokollatë të bardhë të cilën e thërmojmë ose një biskotë e thërrmuar.
Përgatitja: Rrahim të bardhat e vezëve me mikser sa të krijohet shkumë kompakte. Shtojmë pak nga pak sheqerin (hedhim nga pak disa herë) dhe përziejmë mirë sa të shkrihet. Shtojmë lëngun e limonit dhe vaniljen dhe përziejmë përsëri. Ndërkohë kemi nxehur furrën në 120 gradë. E hedhim marengën me lugë në tepsi duke e ndarë në 5 porcione/ 5 mafishe. Sheshojme pak me lugë mesin e secilës, që të formohet një e thelluar. E pjekim për rreth 50 minuta dhe më pas e lemë të ftohet për të paktën një orë brenda në furrë duke e lënë pak hapur furrën (vendosim bishtin e një luge druri.)
Ndërkohë që mafishet piqen, vendosim luleshtrydhet, sheqerin dhe lëngun e limonit në një tenxhere. I ziejmë sa të zbuten luleshtrydhet. Shtojmë niseshtene e tretur në ujë. Dhe dy minuta në zjarr, pastaj i lemë të ftohen. Pasi mafishet janë ftohur, rrahim panën. Për ta shërbyer vendosim në pjatë një mafishe, sipër hedhim me një lugë gjelle krem pana, pastaj pure luleshtrydhesh, pak çokollatë të thërmuar dhe në fund një luleshtrydhe në feta për dekor. E shërbejmë menjëherë që të mos qullet mafisheja dhe presim komplimentat.