Milot Rashica nis rikuperimin te Werder Bremen, a do të jetë i gatshëm për Maqedoninë e Veriut?

Milot Rashica ka nisur programin e rehabilitimit te Werder Bremen, pas dëmtimit që pësoi me Kosovën ndaj Moldavisë.

Rashica, i cili është mes një udhëkryqi deri në përfundimin e merkatos, do ta ketë shumë vështirë rikthimin për ndeshjet ndërkombëtare dhe kjo mund të jetë një humbje e madhe për Kombëtaren e Kosovës para sfidës jetike kundër Maqedonisë së Veriut.

Ylli kosovar është parë dje në terrenin stërvitës të Werder Bremen ku ka zhvilluar një stërvitje individuale, për t’u bashkuar ditëve në vijim me bashkëlojtarët e tij.

Synohet që 24-vjeçari të jetë në ekip kundër Arminia Bielefeld të shtunën, por do ishte pak e mundshme, duke shtuar faktin se merkatoja nuk përfundon edhe pesë ditë të tjera dhe Werderi nuk dëshiron ta rrezikojë shitjen e tij, në rast se kjo ndodh.

Të shpresojmë se Rashica do të jetë në listën e Bernard Challandes për ndeshjet e tetorit, edhepse duket shumë, shumë e vështirë.