Brahmaputra, një prej lumenjve më të mëdhenj të Azisë, shpërtheu digat prej balte, duke fundosur më shumë se 3 mijë fshatra në Indi.
Ushtria është ftuar për të shpëtuar mijëra njerëz të bllokuar nga përmbytjet e mëdha në verilindje të Indisë dhe në Bangladesh, duke lënë miliona shtëpi të fundosura, ndërkaq janë shkëputur edhe linjat e transportit.
Në shtetin Assam në Indi, së paku nëntë persona kanë humbur jetën nga përmbytjet, ndërkaq 2 milionë të tjerë panë shtëpitë e tyre duke u fundosur, ka bërë të ditur Agjencia e menaxhimit të emergjencave në Indi, gjatë të shtunës. Shkrepjet e vetëtimave në disa pjesë të Bangladeshit kanë lënë të vdekur nëntë persona që prej të premtes.
Dy shtetet kanë kërkuar nga ushtritë e tyre për më shumë ndihmë për shkak se reshjet e shiut pritet të vazhdojnë edhe gjatë fundjavës. Në Sylhet të Bangladeshit në brigjet e lumit Surma, fëmijët janë ulur në kornizat e dritareve, teksa familjarët e tjerë qëndronin në shtratin e rrethuar nga uji.
Fluturimet në Aeroportin Ndërkombëtar “Osmani” në Sylhet janë anuluar për tre ditë për shkak se uji gati arriti nëpër pistat e aeroportit, ka bërë të ditur Hafiz Ahmed, menaxher i Aeroportit. Edhe autostradat janë përmbytur, por qarkullimi i automjeteve ka vazhduar me vështirësi.
Niveli i ujërave në të gjithë lumenjtë e shtetit ka vazhduar të rritet. India ka më shumë se 130 lumenj.
Qendra e emergjencave ka bërë të ditur se përmbytjet do të shkaktojnë dëme të mëdha në provincat Sunamganj dhe Sylhet.
Brahmaputra, një prej lumenjve më të mëdhenj të Azisë, shpërtheu digat prej balte, duke fundosur më shumë se 3 mijë fshatra në Indi.
“Presim reshje të dendura në disa pjesë të Assam deri të dielën. Vëllimi i reshjeve ka qenë i paprecedentë”, ka thënë Sanjay O’Neil, zyrtar në stacionin meteorologjik në Gauhati, kryeqytet i Assamit.
Disa shërbime të trenave u anuluan në Indi mes reshjeve të pandërprera gjatë pesë ditëve të fundit. Në qytetin jugor Haflong të Asamit, stacioni hekurudhor ishte nën ujë dhe lumenjtë e përmbytur depozituan baltë përgjatë shinave hekurudhore.
Ushtria e Indisë është mobilizuar për të ndihmuar agjencitë e reagimit ndaj fatkeqësive në shpëtimin e njerëzve të bllokuar dhe sigurimin e ushqimit dhe sendeve të tjera thelbësore. Ushtarët përdornin skafe dhe gomone për të lundruar nëpër zonat e fundosura në ujë.
Muajin e kaluar, një përmbytje e shpejtë para mosunit, e shkaktuar nga vërshimi i ujit nga rrjedha e sipërme në shtetet verilindore të Indisë, goditi rajonet veriore dhe verilindore të Bangladeshit, duke shkatërruar të korrat dhe duke dëmtuar shtëpitë dhe rrugët. Vendi sapo kishte filluar të rimëkëmbej kur shirat e freskët përmbytën të njëjtat zona në fillim të kësaj jave.
Bangladeshi, shtet me 160 milionë banorë, është në zonë të ulët dhe përballet me kërcënime nga fatkeqësitë natyrore, si përmbytjet dhe ciklonet, të ashpërsuara nga ndryshimet klimatike. Sipas Panelit Ndërqeveritar të OKB-së për Ndryshimet Klimatike, rreth 17% e njerëzve në Bangladesh do të duhet të zhvendosen gjatë dekadës së ardhshme nëse ngrohja globale vazhdon me ritmin aktual. /koha