Miliona haxhinj që po kryejnë kushtin e pestë të fesë islame në tokat e shenjta, Haxhin, janë nisur drejt Arafatit pas namazit të Sabahut pasi kaluan natën në Mina, raporton Anadolu Agency (AA).
Arafati është një nga stacionet më të rëndësishme të ritit të Haxhit, që gjendet 12 kilometra në largësi nga Mina dhe 25 kilometra në juglindje të Mekës.
Besimtarët do t’i bashkojnë namazin e drekës dhe atë të ikindisë në kohën e drekës. Namazet do të falen në Faltoren Nemira, ku profeti Muhamed e lexoi hutben e lamtumirës. Kohën nga dreka deri në perëndim të diellit ata do ta kalojnë duke bërë adhurime dhe duke lexuar nga Kur’ani.
Gjatë rrugës deri në Arafat, në gatishmëri do të jenë persona të angazhuar të cilët do t’i plotësojnë nevojat e haxhinjve per ushqim, ujë, pajisje shëndetësore dhe nevoja të tjera.
Pas përfundimit të ndaljes në Arafat me perëndimin e diellit, muslimanët do të shkojnë drejt Muzdelifes, ku do të mbledhin guralecë për gjuajtjen simbolike të shejtanit dhe do të falin së bashku namazin e akshamit dhe atë të jacisë.
Ndryshe, numri i besimtarëve që kanë mbërritur në Mekë për të kryer haxhin ka arritur në 1 milion e 970 mijë besimtarë, njoftoi Enti Statistikor i Arabisë Saudite.
Në mesin e haxhinjve të ardhshëm ndodhen 123 mijë e 259 qytetarë të Arabisë Saudite.
Autoritetet saudite njoftuan të martën se për shkak të mungesës së lejeve të nevojshme, rreth gjysmë milioni njerëz nuk mundën të hyjnë në Mekë për të kryer Haxhin, një nga pesë obligimet e muslimanëve.
Personat në fjalë nuk kanë mundur të hyjnë në Mekë sepse gjatë kontrolleve të sigurisë në hyrje të qytetit ata nuk kishin viza hyrëse për Haxhin dhe lejet e nevojshme.
Gjatë rrjedhës së kryerjes së haxhit në qytet janë angazhuar mbi 100 mijë forca të sigurisë.