Miliarderi i cili refuzoi të japë zekatin

Ky është tregimi për një miliarder saudit i cili refuzoi të japë zekat, të cilin e ka rrëfyer dijetari Hasan Ejubi, derisa ka qenë kryesues i Këshillit të Zekatit në Arabinë Saudite.

Dijetari ka treguar duke thënë: “Këshilli për Zekat e mblidhte zekatin nga njerëzit më të pasur në vend dhe pastaj, si zakonisht, ua ndante të varfërve dhe kategorive dhe grupeve tjera të cilave ju jepet zekati, të cilat janë të përmendura në Kuran.

Megjithatë, Këshilli u befasua nga fakti se një miliarder, i cili fitonte miliona, refuzoi të jepte zekat. Ne ia dërguam disa anëtarë që ta paralajmërojnë dhe këshillojnë në mënyrën më të bukur. Ata i thanë: – O vëlla, çka po ndodh me ty? Shejtani ka vendosur pengesë midis teje dhe veprës së mirë, mos e dëgjo zërin e shejtanit. Deri tani ti gjithnjë ke dhënë zekat dhe Allahu të ka dhënë bereqet dhe ta ka shtuar pasurinë. Prandaj, mos e shkatërro vetveten dhe mos u hidh me duart tua në shkatërrim.

Por ai në këto këshilla vetëm përgjigjej: – Unë nuk do të paguaj zekatin dhe askush mos të më thotë se për këtë shkak unë do ta humbasë pasurinë. Unë kam aq shumë para, sa që nëse Allahu dëshiron të më bëjë të varfër, Ai nuk mund ta bëjë këtë! Atëherë ata e lënë dhe e ndërprejnë këshillimin dhe çdo bisedë të mëtejshme.
Pas disa muajsh, miliarderi u sëmur, u shtrua në spital me ethe dhe me temperaturë të lartë e cila arrinte deri në 40 gradë. Mjekët u përpoqën në çdo mënyrë për ta zbritur temperaturën, por dështuan. Ata sollën mjekë specialistë nga jashtë dhe ia zbuluan tumorin në fshikëzën e tëmthit. Megjithatë, edhe pas operacionit nuk u hetua ndonjë përparim.

Spitali ia pagoi atij shpenzimet duke pritur pagesën nga kompanitë e tij. Mirëpo, në fund bizneset e tij u ndalën dhe kompanitë shënuan humbje. E thirrën djalin e tij, i cili ishte martuar me amerikane dhe kishte shkuar me të për të jetuar në Amerikë, që të vjen e ta vizitojë babain e sëmurë. Djali erdhi dhe u kujdes për babanë e tij dy javë, pas së cilës babai i dha autorizimin dhe e autorizoi që t’i udhëheqë bizneset. Pas një muaji, djali u mërzit, andaj e ftoi gruan e tij që të vjen bashkë me dy fëmijët e tyre në Arabinë Saudite.

Kur gruaja e tij erdhi në Saudi, i sugjeroi burrit të saj që t’i shiste të gjitha pasurinë e babait të tij dhe të kthehen në Amerikë. Ai e pranoi këtë dhe së shpejti i shiti të gjitha pasuritë e babait të tij, sepse ishte i bindur se çështja e vdekjes së babait ishte vetëm çështje ditësh.

Djali i shiti të gjitha pasuritë e babait të tij, edhe kompanitë që posedonte, i mori edhe të gjitha paratë që i kishte babai në banka të ndryshme dhe u kthye me gruan dhe fëmijët e tij në Amerikë.
Mirëpo, babai i tij papritmas u shërua plotësisht sikur kurrë të mos kishte qenë i sëmurë. Pas kësaj, spitali i kërkoi t’i paguante faturat dhe borxhet për mjekim të cilat djali i tij nuk i kishte paguar. Njeriu u trondit kur mori vesh se kishte mbetur pa para, dhe jo vetëm kaq, por ai ishte bërë edhe borxhli. I dëshpëruar për atë që e ka gjetur, e thirri djalin e tij i cili i kishte thënë: – Ti më nuk je me të gjallët – dhe ia kishte mbyllur telefonin.
Njeriu atëherë bërtiti me hidhërim për gjendjen e vështirë dhe iu kujtuan fjalët e tij në lidhje me pasurinë e tij dhe refuzimin e tij për të dhënë zekat. Pastaj e thirri një nga anëtarët e Këshillit të Zekatit dhe ai menjëherë erdhi në spital. Ai kur e merr vesh se çka kishte ndodhur me miliarderin, i kishte bërë thirrje që të bënte tevbe dhe të pendohej për fjalët e mosbesimit të cilat ia kishte thënë anëtarëve të Këshillit kur kishin shkuar tek ai për ta marrë zekatin.

Duke e parë atë në atë gjendje, anëtari i Këshillit i thotë: – Tani harroje pasurinë që e ke humbur dhe gjendjen tënde, por bëjë sexhde falënderimi Allahut të Plotfuqishëm, që të dha mundësi për tu penduar sinqerisht.
Pas gjithë kësaj, pasoi edhe një tjetër surprizë. Këshilli për Zekat ia pagoi spitalit edhe faturën për mjekimin e tij, pasiqë administrata e spitalit konstatoi se ka të bëjë me një njeri të varfër i cili sapo e ka përfunduar fazën e jetës si miliarder dhe ka hy në fazën e re të jetës në varfëri dhe pasiguri.

Prandaj, mos të na mashtrojë prona dhe pasuria që kemi dhe mos të mendojmë se tregimi për Karunin është i përfunduar për të gjitha kohët. Jo, por ai përsëritet nga brezi në brez dhe secili “Karun” do të përfundojë turpëruar dhe i poshtëruar ashtu siç përfundoi Karuni nga populli i Musait (a.s.), pavarësisht, a do të jetë me shafitje në tokë bashkë me pasurinë ose në ndonjë formë tjetër. Prandaj, mos të bëhemi kryelartë dhe mos t’ua mohojmë të drejtën të varfërve që e kanë në pasurinë tonë, si dhe mos t’i shmangemi detyrimit të zekatit që Allahu na ka urdhëruar.

Përshtati: Miftar Ajdini