Milani e ka fituar Superkupën e Italisë në futboll.
Të hënën në mbrëmje, Milani e mposhti 3:2 Interin në finalen dramatike në Riad të Arabisë Saudite.
Milani bëri rikthim të jashtëzakonshëm për të fituar në fund me gol të kohës shtesë.
Lautaro Martinez realizoi për 1:0 në të mirë të Interit në minutën e parë shtesë të pjesës së parë.
Pjesa e dytë nisi edhe më mirë për Interin. Mehdi Taremi shënoi për 2:0 menjëherë në minutën e 47-të.
Por Milani nuk u dorëzua. I shënoi tre gola për fitoren e madhe ndaj rivalit lokal.
Theo Hernandez në minutën e 52-të e ngushtoi rezultatin në 2:1.
Në minutën e 80-të, Christian Pulishiq i barazoi shifrat në 2:2.
Golin e fitores për Milanin e shënoi Tammy Abraham në minutën e 93-të.
Kristjan Asllani tek Interi luajti prej minutës së 35-të. E zëvendësoi Hakan Çalhanoglun e lënduar.
Milani e ka fituar Superkupën italiane për herë të tetë. Tetë Superkupa i ka edhe Interi. Juventusi e ka një më shumë.
Në gjysmëfinale të Superkupës, Milani fitoi 2:1 ndaj Juventusit, ndërsa Interi e mposhti 2:0 Atalantan.
Sergio Conceiçao, që mori drejtimin e Milanit pak ditë më parë, e fitoi trofeun e parë me skuadrën kuqezi.