Mikheil Kavelashvili betohet si president i Gjeorgjisë mes tensioneve politike në vend

Mikheil Kavelashvili

Mikheil Kavelashvili është betuar si presidenti i gjashtë i Gjeorgjisë në një ceremoni në kryeqytetin Tbilisi, transmeton Anadolu.

Sipas transmetuesit publik ‘1TV’, Kavelashvili, i zgjedhur president në fillim të këtij muaji, bëri betimin në ndërtesën e parlamentit, ku morën pjesë ligjvënës dhe zyrtarë qeveritar.

Në fjalën e tij, Kavelashvili theksoi kulturën e pasur të Gjeorgjisë dhe “vështirësitë që ajo ka duruar gjatë shekujve”.

Inaugurimi i tij vjen pasi administrata gjeorgjiane ka ndërprerë bisedimet për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian (BE), duke përshkallëzuar tensionet me opozitën.

Ndërkohë, presidentja në largim, Salome Zourabichvili, foli me demonstruesit pro BE-së jashtë pallatin presidencial, por duke pohuar se në sytë e opozitës dhe mbështetësve të saj ajo ende është autoriteti i ligjshëm i zyrës presidenciale.

“Gjashtë vjet më parë, unë u betova jo vetëm për të respektuar kushtetutën, por edhe për t’iu përkushtuar këtij vendi dhe juve. Kjo është arsyeja pse unë jam këtu sot. Kjo besnikëri nuk do të ndryshojë kurrë, qoftë brenda pallatit apo jashtë tij. Unë do të jem gjithmonë me ju, kudo që të jetë”, tha Zourabichvili.

Duke u larguar, tha ajo, do të marrë me vete “legjitimitetin, flamurin dhe besimin tuaj”, si dhe u zotua se do të vazhdojë luftën e saj.

Të dielën e kaluar, kryeministri gjeorgjian, Irakli Kobakhidze, tha se Zourabichvili duhet të lirojë postin e saj në ditën e inaugurimit.

“Le të shohim se ku do të vazhdojë jetën e saj, pas hekurave apo jashtë”, tha Kobakhidze.

53-vjeçari Kavelashvili u zgjodh më 14 dhjetor nga një kolegj elektoral me 300 vende, duke zëvendësuar sistemin e zgjedhjeve të drejtpërdrejta presidenciale që nga viti 2017.

Megjithatë, zgjedhja e tij është gjymtuar nga tensionet politike të lidhura me zgjedhjet e kontestuara parlamentare të muajit tetor. Partia ‘Ëndrra Gjeorgjia’ në pushtet siguroi 89 nga 150 vendet e parlamentit pasi siguroi 53,93 për qind të votave.

Presidenti në largim Zourabichvili, e konsideruar pro BE-së, refuzoi të njohë rezultatet, duke përmendur ndërhyrjen ruse, ndërsa partitë opozitare e kanë etiketuar votimin si “të vjedhur” dhe kanë bojkotuar seancat parlamentare.

Më 28 nëntor, kryeministri Kobakhidze njoftoi se Gjeorgjia do të pezullojë bisedimet e pranimit në BE deri në vitin 2028, duke shkaktuar protesta të gjera në të gjithë vendin, përfshirë në Tbilisi.