Uragani Ida ka kaluar në Gjirin e Meksikës dhe është rrugës që potencialisht të godasë keq bregdetin e shtetit jugor amerikan të Luizianës më 29 gusht, teksa zyrtarët kanë filluar që të hapin strehimore për njerëzit që po largohen nga uragani.
Sipas meteorologëve, uragani Ida mund të jetë “jashtëzakonisht i rrezikshëm”. Ata e kanë klasifikuar këtë uragan si uragan i kategorisë 4, që karakterizohet me erëra mbi 200 kilometra në orë.
Dhjetëra-mijëra persona po largohen nga shtëpitë e tyre pasi zyrtarët urdhëruan evakuimin e qytetarëve nga zonat e ulëta bregdetare dhe bllokuan autostradat.
Gjashtëmbëdhjetë vjet më parë, Luiziana dhe Misisipi u goditën keq nga uragani Katrina, që vrau më shumë se 1.800 persona.
Spitalet në Luiziana veçse janë të mbushura me pacientë nga vala e fundit e pandemisë së koronavirusit, që u shkaktua si pasojë e nivelit të ulët të vaksinimit dhe variantit më ngjitës Delta dhe tani strehimoret, për personat që po largohen nga shtëpitë e tyre, shtojnë rrezikun që të bëhen vatra të reja të përhapjes së infeksioneve të reja me COVID-19.
Shteti i Luizianës është shteti i tretë në SHBA që ka regjistruar shumti raste në 100.000 banorë në shtatë ditët e fundit.
Guvernatori i Luizianës, John Bel Edwards tha më 28 gusht se strehimoret do të punojnë me kapacitet të reduktuar për “të reflektuar realitetet e COVID-19”.
Zyrtarët e Luizianës po punojnë për të gjetur dhoma hotelesh për të vendosur personat e evakuuar, me qëllim që, sipas guvernatorit, sa më pak njerëz të strehohen në strehimore masive. /rel