Mijëra palestinezë të zhvendosur me forcë, filluan të kthehen nga jugu në veri të Gazës

Mëngjesin e sotëm filloi kthimi nga jugu në veri të Gazës i dhjetëra mijëra palestinezëve të zhvendosur me forcë nga sulmet izraelite, transmeton Anadolu.

Pas njoftimit se Izraeli do t’i lejonte palestinezët të kalonin në orën 07:00 me orën lokale korridorin Netzarim, i cili ndan veriun dhe jugun e Rripit të Gazës, mijëra palestinezë me sendet që mundën të marrin me vete filluan të ecin drejt veriut përgjatë rrugës Rashid.

Përveç kësaj, sipas marrëveshjes kthimet në veri të Gazës nëpërmjet rrugës Salahaddin do të fillojnë në orën 09:00 me orën lokale. Është planifikuar që kthimet përmes rrugës Salahaddin të bëhen vetëm nga automjetet, jo nga këmbësorët. Automjetet që do të përdoren për t’u kthyer nga jugu në veri të Gazës do të kontrollohen nga një kompani private sigurie amerikane në pikën e kalimit. Raportohet se mjete ajrore pa pilot (dronët) izraelite po fluturojnë mbi rrugën Salahaddin.

Edhe pse 80-90 për qind e strukturave në veri të Gazës janë shkatërruar për shkak të sulmeve izraelite, palestinezët që janë zhvendosur shumë herë gjatë 15 muajve thonë se duan të kthehen në tokat e tyre.

– Hamasi uron popullin e Gazës

Anëtari i Byrosë Politike të Hamasit, Izzat al-Risheq, në një deklaratë me shkrim uroi popullin e Gazës për “kthimin e tyre të gëzuar, të bekuar”.

“Kjo është një ditë e madhe. Pamja e kthimit të të zhvendosurve në veri shkatërron të gjitha ëndrrat dhe iluzionet e okupimit izraelit për zhvendosjen e popullit palestinez”, tha Al-Risheq.

Izraeli për shkak të mosmarrëveshjes së shkëmbimit të pengjeve, në kundërshtim me detyrimet e tij sipas marrëveshjes së armëpushimit që arriti me Hamasin, njoftoi se nuk do të lejonte palestinezët e zhvendosur me forcë nga shtëpitë e tyre të kalonin në veri të Gazës. Palestinezët e zhvendosur me forcë në formën e një lumi njerëzor u treguan në pamjet ajrore gjatë pritjes për të kaluar në veri të Gazës.

– Moslirimi i një pengu izraelit shkaktoi krizë

Mos lirimi i pengut izraelit të quajtur Arbel Yehud në raundin e dytë të shkëmbimit të pengjeve midis Hamasit dhe Izraelit shkaktoi një krizë.

Pavarësisht se Hamasi dorëzoi katër të burgosur izraelitë si pjesë e raundit të dytë të shkëmbimit të të burgosurve, Izraeli në kundërshtim me kushtet e armëpushimit dhe marrëveshjes së shkëmbimit të pengjeve përdori dështimin e lirimit të Arbel Yehudit si arsyetim për të deklaruar se banorët e Rripit të Gazës nuk do të lejohen të kalojnë nga jugu në veri.

Ishte njoftuar se negociatat ishin në vazhdim për lirimin e pengut izraelit Yehud para raundit të tretë që do mbaheshin të shtunën. Katari njoftoi zgjidhjen e krizës që u përjetua në raundin e dytë të shkëmbimit të pengjeve midis Hamasit dhe Izraelit në kuadër të marrëveshjes së armëpushimit dhe shkëmbimit të pengjeve në Gaza.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Katarit, Majid al-Ansari në një postim që ndau në llogarinë e tij në X njoftoi se është arritur marrëveshje mes dy palëve.

Në një deklaratë nga Zyra e kryeministrit izraelit u njoftua se një raund i ri për shkëmbimet e pengjeve do të mbahej të enjten, në të cilin Arbel Yehud, Agam Berger dhe një peng tjetër izraelit do të liroheshin dhe se në këtë raund të shkëmbimit të pengjeve ditën e shtunë do të liroheshin edhe tre pengje të tjerë izraelitë në përputhje me marrëveshjen.​​​​​​​

Si pjesë e kësaj marrëveshjeje, u vu në dukje se banorët e Rripit të Gazës do të lejoheshin të kalonin nga jugu në veri.