Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Mijëra njerëz në Kudsin Perëndimor në protestë kundër qeverisë së Netanyahut

Mijëra njerëz në Kudsin Perëndimor në protestë kundër qeverisë së Netanyahut

Mijëra izraelitë kanë protestuar në Kudsin Perëndimor kundër ndryshimeve të propozuara në Komitetin e Përzgjedhjes Gjyqësore, shkarkimit të shefit të agjencisë Shin Bet, Ronen Bar dhe synimit të qeverisë për të shkarkuar Prokuroren e Përgjithshme, Gali Baharav-Miara, transmeton Anadolu.

Gazeta ‘Yedioth Ahronoth’ raportoi se mijëra njerëz marshuan përgjatë rrugës Kaplan midis Gjykatës së Lartë dhe parlamentit izraelit (Knesset) para se të arrinin në sheshin para ndërtesës së qeverisë.

“Protesta e sotme vjen pas shkarkimit të shefit të Shin Bet, Ronen Bar, pezullimit të negociatave për marrëveshjen e pengjeve, miratimit të buxhetit dje dhe planit të qeverisë për të larguar Prokuroren e Përgjithshme, Gali Barahav-Miara”, tha gazeta izraelite.

Sipas gazetës, anëtarë të partive opozitare gjithashtu morën pjesë në protestë, duke përfshirë liderin e Unitetit Kombëtar dhe ish-ministrin e Mbrojtjes, Benny Gantz, së bashku me figura të shquara në sektorin ekonomik dhe gjyqësor.

Transmetuesi ‘Channel 12’ raportoi se demonstrata shpërtheu derisa Knesset do të votojë një projektligj për të ndryshuar përbërjen e Komitetit të Përzgjedhjes Gjyqësore, një veprim që do të eliminojë përfaqësimin e Odës së Avokatëve dhe do t’u japë më shumë pushtet të emëruarve nga qeveria.

Sipas transmetuesit izraelit, legjislacioni i propozuar përbën një “shtyllë qendrore” të planit të rinovimit të gjyqësorit, i cili synon të dobësojë gjyqësorin.

Që nga tetori i vitit 2023, të paktën 50.200 palestinezë janë vrarë, kryesisht gra dhe fëmijë, si dhe rreth 113.700 të tjerë janë plagosur në sulmet brutale ushtarake izraelite në Rripin e Gazës.

Nëntorin e vitit të kaluar, Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshoi urdhër-arreste ndaj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Për luftën në enklavën palestineze, Izraeli gjithashtu përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Exit mobile version