Mijëra njerëz indigjenë në Brazil kanë marrë pjesë në një demonstratë duke u mbledhur për Kampin e Tokave të Lira 2025 në kryeqytetin Brasilia, i cili është tubimi më i madh i komuniteteve indigjene në vend, raporton Anadolu.
Rreth 8 mijë njerëz indigjenë nga e gjithë Amerika e Jugut, Oqeania dhe Brazili janë mbledhur në kryeqytetin brazilian për të kërkuar që liderët e tyre të kenë fjalë dhe autoritet të barabartë në samitin e klimës COP30 që do të mbahet në Brazil në muajin nëntor.
Kjo ngjarje mbahet tradicionalisht çdo muaj prill dhe ajo përfaqëson një platformë kyçe për mbrojtjen e të drejtave të popujve indigjenë, mbrojtjen e territoreve të tyre dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore.
Pjesëmarrësit e mbledhur veshin rroba tradicionale, flamuj të popujve të tyre dhe pankarta me mesazhe kundër shpyllëzimit, dhunës ndaj komuniteteve indigjene dhe kërcënimeve legjislative ndaj të drejtave të tyre.
Kampi i Tokave të Lira 2025 thekson qëndrueshmërinë dhe unitetin e popujve indigjenë, të cilët pavarësisht presioneve dhe kërcënimeve, vazhdojnë të luftojnë për të drejtat e tyre dhe ruajtjen e tokave të tyre stërgjyshore.