Ballina Arritje Teknologji Mijëra kompani e biznese në SHBA bien pre e një sulmi kibernetik

Mijëra kompani e biznese në SHBA bien pre e një sulmi kibernetik

Sulmet kibernetike kryhen nga hakerë që hyjnë në rrjete dhe shpërndajnë kode të dëmshme, që bllokojnë të dhënat digjitale të viktimave.

Ekspertë të sigurisë kibernetike në Shtetet e Bashkuara thanë se një sulm kibernetik, që nisi më 2 korrik, preku mijëra viktima në së paku 17 vende të botës.

Ekspertët u atribuuan përgjegjësinë bandave rusishtfolëse, ndërsa thanë se kriminelët kanë kërkuar shpërblime në vlerë prej 45,000 deri në 5 milionë dollarë.

Fred Voccola, shef i Kaseya-s, kompani me seli në SHBA, softueri i së cilës u prish, gjithashtu vlerësoi se numri i viktimave është mijëra.

Ai tha se shumica janë biznese të vogla, si objekte dentare, firma të arkitekturës, qendra të kirurgjisë dhe biblioteka.

Shkollat, agjencitë e vogla qeveritare, agjencitë e udhëtimit dhe agjencitë e kontabilitetit janë gjithashtu në mesin e viktimave të raportuara.

Një nga kompanitë e prekura është zinxhiri suedez i ushqimeve Coop. Ai është detyruar të mbyllë shumicën e 800 dyqaneve të tij më 3 dhe 4 korrik, pasi sulmi ka dëmtuar softuerin e arkës së tij.

Një zinxhir suedez i farmacive, një zinxhir i stacioneve të karburanteve, hekurudha shtetërore dhe transmetuesi publik SVT janë goditur gjithashtu.

Mbikëqyrësi federal i sigurisë kibernetike në Gjermani tha se një ofrues i paidentifikuar i shërbimeve IT, që kujdeset për disa mijëra klientë, është sulmuar. Dy kompani të mëdha holandeze të shërbimeve IT ishin po ashtu në mesin e objektivave.

Sulmet kibernetike kryhen nga hakerë që hyjnë në rrjete dhe shpërndajnë kode të dëmshme, që bllokojnë të dhënat digjitale të viktimave.

Të dhënat janë të papërdorshme derisa kompania e sulmuar paguan shumën që i kërkohet. Sulme të profilit të lartë kanë goditur një tubacion energjetik të SHBA-së dhe një përpunues global të mishit, në muajin maj.

Muajin e kaluar, gjatë një takimi në Gjenevë, presidenti Biden ka biseduar me homologun rus, Vladimir Putin, për bandat e sulmeve kibernetike, që dyshohet se veprojnë pa u ndëshkuar në Rusi. Biden ka thënë se ka paralajmëruar Putinin se Shtetet e Bashkuara do të përgjigjen, nëse hetimet përcaktojnë se Qeveria ruse qëndron pas ndonjë sulmi.

Exit mobile version