Migrimi, kulturë antike e kërkimit të një “jete më të mirë”

Numri i njerëzve që migrojnë në vendet e tjera është rritur në dekadat e kaluara për shkak të dhunës, konflikteve të armatosura, kushteve të dobëta të jetesës, ekonomisë së keqe dhe fatkeqësive natyrore, shkruan Anadolu Agency (AA).

Edhe pse është një temë e nxehtë në agjendën e sotme globale, ajo në fakt ka rrënjë të thella në historinë njerëzore që datojnë dhjetëra mijëra vjet më parë.

Sipas shifrave të fundit të OKB-së, numri i migrantëve ndërkombëtarë është ngjitur në 272 milionë, 51 milionë më shumë krahasuar me vitin 2010, që korrespondon me rreth 3,5 për qind të popullsisë globale.

Evropa renditet si kontinenti i parë pritës me 82 milionë migrantë ndërkombëtarë, e ndjekur nga Amerika e Veriut e cila pret 59 milion emigrantë. Po ashtu, si vende pritëse radhiten Afrika e Veriut dhe Azia Perëndimore me rreth 49 milionë migrantë.

“Megjithëse kombet dhe komb-shtetet u shfaqën më shumë kohët e fundit, në shekujt e fundit, migracioni dhe dyndjet njerëzore gjithmonë kanë ekzistuar me të njëjtin motiv themelor për dhjetëra mijëvjeçarë që nga grupet më të hershme njerëzore”, tha Kadir Onur Unutulmaz, zëvendësdrejtor i Qendrës për Studime të Migracionit Global dhe ligjërues në Universitetin e Shkencave Sociale në Ankara, duke potencuar kërkimin “për një jetë më të mirë”.

“Megjithëse ne po flasim për globalizimin si një fenomen i kohëve të fundit, ka prova arkeologjike që tregtia dhe migracioni në një shkallë globale kanë ekzistuar dhjetëra mijëra vjet më parë”, tha eksperti i migracionit, i cili ka doktoratë në antropologji nga Universiteti i Oksfordit.

Ai shtoi se disa njerëz e kanë asocuar konceptin e migrimit të hershëm me kulturat nomade, megjithatë, në të vërtetë ishin revolucioni bujqësor dhe lëvizja drejt jetës sedentare ato që kanë rritur ndjeshëm migracionin, pasi qytetet e krijuara në fillim ishin si “magnete” për të huajt që kërkonin standard më mirë të jetesës.

– Përhapja e besimit popullor

Unutulmaz nënvizoi se migracioni lidhej drejtpërdrejt me “sigurinë njerëzore”, pavarësisht nëse do të ishte rezultat i pasigurive që buronin nga problemet financiare, varfëria, uria, shqetësimet politike dhe kulturore, shtypjet, nivelet e larta të krimit dhe dhuna. Prandaj, sipas tij, migrantët kanë kërkuar të transferohen në mjedise të sigurta.

Ai theksoi se, ndryshe nga besimi popullor, numri i njerëzve të shpërngulur nga katastrofat natyrore ose të shkaktuara nga njeriu është shumë më i madh se numri i njerëzve të dëbuar nga shtëpitë e tyre për shkak të konflikteve.

Megjithëse çështja e migracionit shihet si problematike në shumë pjesë të botës, ajo sjell qartë një mundësi për të përmirësuar civilizimin njerëzor, pasi shumë migrantë gjatë historisë kanë sjelle perspektiva të reja dhe ide të reja në shtëpitë e tyre të reja.

“Një nga forcat qendrore që nxiti civilizimin njerëzor ishte migrimi”, tha ai.

“Gjatë historisë njerëzore, migrantët kanë sjellë ide, teknologji dhe kultura të reja kudo ku shkuan”, shton Unutulmaz.

Pavarësisht se migrantët fillimisht nuk “mirëpriten me krahë të hapur dhe qilima të kuq”, sipas Unutulmaz, dinamika sociale që rezulton ka çuar në risi, përparim kulturor dhe zhvillime teknologjike.

Në botën e sotme, migrantët japin një kontribut të jashtëzakonshëm në ekonomi, veçanërisht në ekonomitë e zhvilluara dhe të industrializuara si fuqi punëtore dhe sipërmarrës.

Për shembull, si në rastin e Turqisë, e cila ka mirëpritur mbi 3,6 milioën sirianë nën status të mbrojtjes së përkohshme pas shpërthimit të luftës së përgjakshme civile në vitin 2011, migrantët sollën gjithashtu zhvillim financiar.

Sipas një raporti nga Fondacioni i Studimit të Politikave Ekonomike të Turqisë (TEPAV), sipërmarrësit sirianë në Turqi punësojnë 7 për qind të bashkatdhetarëve të tyre dhe kontribuojnë në ekonomi me kompani të orientuara nga eksporti.

– Popullsia në plakje

Për më tepër, duke pasur parasysh që disa vende, veçanërisht në Evropë, janë plakur, popullsia e tyre në rënie i bën ata të varur nga migrantët.

Sipas një raporti të lëshuar nga Komisioni Evropian në vitin 2018, popullsia brenda BE-së parashikohet të arrijë në 520 milionë deri në vitin 2070, që do të thotë se do të ketë një rritje prej vetëm 9 milionë.

Megjithatë, me një normë kaq të ulët të fertilitetit, popullsia e moshës për punë e BE-së do të ulet ndjeshëm sipas raportit, duke rënë nga 333 milionë (2016) në 292 milionë më 2070.

Unutulmaz paralajmëroi se vendet duhet të jenë të kujdesshme në importimin e një numri të madh të punëtorëve të huaj ose migrantë në të gjithë globin dhe të ndjekin politikat afatgjata në vend se të synojnë të arrijnë rezultate brenda natës.

“Shembulli i njohur i Gjermanisë duhet të mbahet mend në këtë rast”, tha ai, duke iu referuar periudhës kur vendi importoi një numër të madh të të huajve nga Turqia në vitet 1960 dhe 1970, por nuk ndoqi asnjë politikë integrimi, duke çuar në probleme në të ardhmen.

“Sot, Gjermania është një nga vendet që investon më së shumti në politikat e integrimit në mbarë globin dhe ata ende po paguajnë faturën për dekadat që nuk filluan të veprojnë”, tha ai.

Në pyetjen për mënyrën se si vendet pritëse duhet të trajtojnë rritjen e valëve të ksenofobisë dhe narracionit fashist ndaj migrantëve, ai tha se këto tema duhet të adresohen në një mënyrë të qartë.

“Por është shumë e rëndësishme të mos etiketoni askënd që shpreh shqetësimet e tij për migracionin si ksenofob ose fashist. Veçanërisht në situatat kur lëvizjet masive të njerëzve ndodhin në një kohë të shkurtër”, tha Unutulmaz.

Ai tha se qeveritë luajnë një rol të rëndësishëm në kuptimin e trajtimit të agjendës kundër migracionit dhe thelbi i kësaj politike duhet të bazohet në marrëdhëniet me publikun.

“Ndërsa mund të jetë rasti që disa informacione specifike mund të jenë shumë të ndjeshme për t’u shpërndarë me publikun, publiku nuk duhet të lihet në errësirë ​​në lidhje me situatën e tyre të sotme ose të ardhmen”, tha ai.

Për të eleminuar fushatat e njollosjes në media alternative, media kryesore duhet t’u sigurojë njerëzve informacion të saktë, tha ai, duke shtuar se njerëzit, qoftë migrantë apo vendas, duhet të jenë në gjendje të shprehin shqetësimet e tyre në një mënyrë të hapur.

Ai gjithashtu theksoi se “integrimi dhe harmonizimi” i migrantëve në shoqëritë pritëse është një aspekt i rëndësishëm që do të mundësonte një lloj lidhjeje emocionale mes migrantëve dhe vendasve.