Kur kishte parë emrin në listën e studentëve të pranuar në Infermieri, Qendresa Maloku me zor i mbante lotët. Pranimi e gëzoi dhe njëkohësisht e inkurajoi që studimet t`i përfundojë në afat. Angazhimi i përkohshëm në personelin mbështetës për pacientët e infektuar me koronavirus, ishte shkëndija e parë e plotësimit të ëndrrës së saj. Por, pas përfundimit të periudhës së pandemisë COVID-19, Malokut shpresat nisën t’i veniteshin. Përpjekjet e saj për të gjetur punë të përhershme në sistemin shëndetësor ishin të kota. Përballë vlerësimeve në konkurse, që i quan të padrejta, ajo thotë se ishte e shtrënguar që të ardhmen e saj profesionale ta kërkojë jashtë vendit.
“Pavarësisht kualifikimeve dhe përgatitjes profesionale, ishte e vështirë të fitoja një vend pune në sistemin shëndetësor publik. Ky proces shpesh favorizonte individët me lidhje familjare ose politike, duke e bërë të vështirë për një profesionist të pavarur të gjejë vendin e tij. Kjo situatë krijoi pasiguri për të ardhmen time profesionale dhe më shtyu të kërkoj një sistem më të drejtë punësimi jashtë vendit”, thotë 26-vjeçarja Maloku.
Me të njëjtin dëshpërim, disa vite para Malokut ishte përballur Besiana Krasniqi. Largimin nga Kosova, e pa si të vetmen mundësi për të ardhmen e saj, ndonëse në vendlindje la përvojën 13-vjeçare në gazetari.
Puna si gazetare, madje edhe në pozita vendimmarrëse, sipas Krasniqit, ka ndikuar në vlerësimin që ajo i ka bërë situatës e zhvillimeve në shoqërinë kosovare. Në veçanti mospajtimi me mënyrat e punësimit e avancimit të kuadrove të caktuara, e zhgënjeu e demotivoi në ballafaqimin me to.
“Vendimi për largim nuk është kurrë i lehtë. Për mua ka qenë një prej vendimeve më të vështira të jetës. Në një botë normale edhe unë me më dëshirë do të kisha vazhduar angazhimin tim në Kosovë për t’i ndihmuar ecjes përpara. Por, kur pas shumë vitesh e vëren që ajo që t’i përfaqëson si individ e si profesionist nuk çmohet, natyrisht se kërkon alternativa të tjera të përmbushjes profesionale”, thotë Krasniqi.
Maloku e Krasniqi, janë në mesin e 359 mijë e 244 emigrantëve sa ka Kosova, sipas të dhënave të publikuara në raportin e fundit të Ministrisë së Punëve të Brendshme për profilin e migrimit, i publikuar në dhjetor për vitin paraprak, pra 2023.
Në anën tjetër, vetëm gjatë vitit 2023, sipas të dhënave nga Agjencia e Statistikave, 21 mijë e 158 persona apo 1.33 % e popullsisë rezidente kanë emigruar nga Kosova. Në këtë numër, përfshihen të gjithë emigrantët pa marrë parasysh arsyen e migrimit apo statusin e tyre në vendin ku jetojnë.
Por, nga procesi i regjistrimit të popullsisë, i realizuar 13 vite nga regjistrimi i fundit, Agjencia e Statistikave nuk ka arritur që të përllogarisë numrin e qytetarëve jorezidentë të Kosovës. Ndonëse një raport me të dhënat e para finale të regjistrimit të zhvilluar gjatë vitit 2024 është publikuar në fund të dhjetorit, aty nuk ka të dhëna për qytetarët të cilat kanë emigruar nga Kosova. Por, sipas të dhënave nga ky institucion, është bërë e ditur se ka rënie të banorëve që jetojnë në Kosovë. Kuptohet që rënia e numrit të popullsisë nuk lidhet direkt me emigrimin e tyre. Por, Kosova, sipas regjistrimit të vitit 2011, kishte 1 milion e 739 mijë e 825 banorë, derisa në vitit 2024, numërohen 1 milion e 602 mijë e 515 banorë.
Gjermania, më e preferuara
Për dallim nga Qendresa Maloku e Besiana Krasniqi, për të udhëtuar drejt shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, nga janari i vitit 2024, qytetarët nuk kanë pasur nevojë që të pajisen me viza.
Në muajin kur Kosovës iu liberalizuan vizat, Instituti GAP parashikoi ndikimin që ky proces do të kishte në fuqinë punëtore. Nga të dhënat e publikuara nga ky institut, të nxjerra nga një anketë e zhvilluar në nivel vendi, rreth 28 për qind e qytetarëve të Kosovën mbi 18 vjeç planifikonin të emigronin në periudhën e parë të vitit. Anisa Zogaj, hulumtuese në Institutin GAP, thotë se arsyet ekonomike mbizotëronin të tjerat në marrjen e vendimit të kësaj përqindjeje të qytetarëve për të emigruar.
“Mbi 20% e personave që planifikuan të emigrojnë kishin realizuar të hyra prej 301-450 euro, ndërkaq 32.9% nuk kanë realizuar fare të hyra (të hyrat në nëntor 2023). Shumica e qytetarëve që planifikuan të emigrojnë ishin persona që kanë të përfunduar vetëm shkollimin e mesëm (57.7%)”, thotë ajo.
Gjermania, shteti ku emigruan edhe infermierja Maloku e gazetarja Krasniqi, prin në destinacionet kryesore të qytetarëve me 71.4 për qind.
“Gjermania ishte e ndjekur nga Zvicra me 11.7%; dhe Austria me 5.3%”, thotë Zogaj.
Përveç vendit ku kanë emigruar, Maloku e Krasniqi, të ngjashme kanë edhe sfidat me të cilat janë përballur në rrugëtimin e tyre jashtë Kosovës. Përshtatja me kulturën e veçanërisht mësimi i gjuhës, janë disa prej atyre që ato përmendin.
“Si infermiere, komunikimi është një pjesë thelbësore e punës, dhe të mësuarit e gjuhës gjermane ka qenë sfidë, por edhe mundësi për zhvillim personal. Një tjetër sfidë ka qenë procesi i njohjes së diplomës dhe përshtatja me standardet e reja të kujdesit shëndetësor në Gjermani. Integrimi në një sistem shëndetësor më të avancuar ka kërkuar përkushtim, por më ka ofruar gjithashtu mundësinë për të mësuar dhe për të avancuar më tej në karrierë”, thotë infermierja nga Gjilani, Qendresa Maloku e cila profesionin e saj e ushtron në një spital publik në Shtutgart të Gjermanisë.
Fillimet në Gjermani, nuk ishin të lehta as për gazetaren Besiana Krasniqi, ndonëse me njohuri bazike të gjuhës gjermane.
“Integrimi në një vend të huaj nuk është kurrë i lehtë, por jo i pamundur”, thotë ajo.
Planet e ëndrrat e mëdha, Krasniqin e shtynë që t`i tejkalojë vështirësitë. Kësisoj përveç integrimit të shpejtë, e përvetësimit të gjuhës gjermane ajo përfundoi studimet master në Gazetari Televizive dhe në Film Dokumentar e nisi të punoj në televizionin gjerman ZDF.
“Ëndrra ime e kamotshme ishte që të studioja në një Universitet Ndërkombëtar të Gazetarisë dhe më vonë të vazhdoja punën time si gazetare. Në këtë mënyrë të dëshmoja atë që dija dhe mundja në një konkurrencë krejt tjetër, ndërkombëtare. Të dëshmoja se idetë e mia e të bërit gazetari vlenin edhe në nivelin ndërkombëtar. Pra fillimi nuk ishte e lehtë, por nuk u dorëzova”, thotë ajo, e cila pesë vjet pas nisjes së rrugëtimit nga fillimi jashtë Kosovës, thotë se është e lumtur me vendimin që ka marrë për largimin nga vendlindja.
Atë që nuk e gjeti në Kosovë – një sistem të drejtë e transparent të punësimit, ku vlerësohen kualifikimet dhe aftësitë profesionale, infermierja Qendresa Maloku thotë se e gjeti në Gjermani.
“Kushtet e punës janë shumë më të mira, duke përfshirë orarin e rregullt të punës, pagat e drejta dhe respektin për profesionin e infermieres. Gjithashtu, mundësitë për trajnim dhe avancim profesional janë shumë më të mëdha. Teknologjia dhe infrastruktura e avancuar në sektorin shëndetësor më kanë lejuar të punoj në një ambient më të sigurt dhe më efikas”, thotë ajo.
Arsyet që shtynë këto dy profesioniste të largohen nga Kosova, janë renditur edhe në gjetjet e raportit të Instituti GAP.
“Duke pasur parasysh se janë arsyet ekonomike të cilat ndikojnë në këtë tendencë, të anketuarit deklaruan se nëse pagat në Kosovë do të ishin më të larta, nëse do të respektohej kontrata e punës, orari i punës, pushimi vjetor dhe të ngjashme, përmirësimi i gjendjes në shëndetësi dhe arsim, nuk do të ishin të motivuar për t’u larguar nga Kosova”, thotë hulumtuesja në GAP, Anisa Zogaj.
E, njohësi i çështjeve ekonomike, Fidan Qerimi, vlerëson se krahas profesionistëve që janë në kërkim të kushteve më të mira jashtë Kosovës, largimi i popullatës ndahet edhe në dy kategori të tjera.
“Një pjesë e tyre është e qytetarëve të cilët ballafaqohen me probleme shëndetësore Ata po e shfrytëzojnë rastin, me ikë në vendet e Bashkimit Evropian, sidomos ato të cilat janë më liberale në pjesën e shëndetësisë e i trajtojnë njerëzit edhe pa pasur sigurime shëndetësore. Edhe një kategori tjetër, që janë njerëz që nuk e kanë gjet veten me profesionet e tyre ose fatkeqësisht nuk kanë profesion, edhe po e gjejnë një mundësi që me pas të ardhura më të mira për vete dhe për familjen e tyre”, thotë Qerimi, sipas të cilit, zhvillimet në Kosovë nuk kanë mundur të tejkalojnë ambiciet e qytetarëve të saj.
Kërkesat për azil
Emigrimi i profesionistëve shëndetësorë zë vend edhe në raportin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, për vitin 2023, të fundit të publikuar. Sipas tij, Kosova vazhdon të përballet me emigrim të lartë të tyre e ndër arsyet kryesore rendit: pagat e ulëta, mungesa e kushteve të punës e kërkesat e larta për punëtorë shëndetësorë në vendet e BE-së. Për shkak të mungesës së një mekanizmi nga Ministria e Shëndetësisë, përllogaritjet për largimin e profesionistëve shëndetësorë bëhen përmes numrit të certifikatave për të kaluarën e etike e profesionale që lëshohen nga Oda e Profesionistëve Shëndetësorë.
Sipas këtyre të dhënave të publikuara në raportin e MPB-së, gjatë vitit 2023 janë lëshuar 946 certifikata të tilla.
“Në krahasim me vitet paraprake, ka rritje të kërkesave për këto certifikata, me numrin më të lartë prej 713 (75%), të lëshuar për infermierë pasuar nga 167 (18%) për mjekë, 36 (4%) për farmacistë dhe 30 për stomatologë (3%)”, thuhet në raport, e ku numri i përgjithshëm i të punësuarve në shëndetësi në sektorin publik për vitin 2023 llogaritet të jetë 13 mijë e 894, prej tyre: 7,714 ishin infermierë, 3,258 ishin mjekë specialistë, 376 mjekë stomatolog, 77 farmacistë, 52 fizioterapistë, 174 bashkëpunëtorë shëndetësorë dhe 2,243 staf jomjekësor.
Nga Instituti GAP thonë se çështja e emigrimit nga Kosova kërkon adresimin e një sërë faktorësh ekonomikë, politikë e social, të cilët sipas tyre, kontribuojnë në largimin e njerëzve nga vendi.
“Qeverinë e Kosovës të punojë në: zbatimin e politikave që nxisin rritjen ekonomike dhe krijimin e vendeve të punës, tërheqjen e investimeve të huaja dhe promovimin e sipërmarrjes, përmirësim të kujdesit shëndetësor dhe arsimit, nxitjes së lidhjes me diasporën për zhvillim ekonomik ndër tjera”, thotë hulumtuesja Zogaj, tek përmend rekomandimet që kanë bërë për ekzekutivin qysh në fillim të vitit.
Ndonëse nuk ka shifra zyrtare në lidhje me qytetarët që gjatë vitit 2024 kanë emigruar jashtë Kosovës, raportet e Komisionit Evropian, sjellin sadopak një pasqyrë të gjendjes aktuale.
Në nëntë muajt e parë të viti përkatës, sipas raportit të Komisionit Evropian për mekanizmat e suspendimit të liberalizimit të vizave të publikuar në dhjetor, ka pasur 3905 kërkesa për azil në vendet e Bashkimit Evropian nga shtetasit e Kosovës. E që, sipas këtij raporti, është një rritje prej 108 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë një vit më parë.
Rritje të numrit të azilkërkuesve, në muajt e parë të liberalizimit të vizave, janë vënë në pah fillimisht në Raportin për Kosovën e publikuar në tetor. Në vetëm katër muajt e parë ishte shënuar rritje prej 68 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2023.
“Sipas Eurostat, 3 mijë e 45 shtetas të Kosovës kanë aplikuar për azil në vendet anëtare të BE-së në vitin 2023 (rënie prej 4% krahasuar me 3 mijë e 185 në 2022). Që nga hyrja në fuqi e regjimit pa viza për mbajtësit e pasaportës së Kosovës më 1 janar 2024, janë paraqitur 1 mijë e 960 kërkesa për azil në 27 vendet e BE-së në katër muajt e parë të 2024 (+68% krahasuar me të njëjtën periudhë të 2023)”, thuhet në Raportin për Kosovën për vitin 2024 nga Komisioni Evropian.
Të shqetësuar me rritjen e azilkërkuesve nga Kosova në shtetet e Bashkimit Evropian, nuk shprehen në Qeverinë e Kosovës. Klisman Kadiu, këshilltar i zv.kryeministrit Besnik Bislimi, thotë se Kosova qëndron më mirë në raport me trendin që i ka përcjellë shtetet e rajonit, në kohën kur u janë hequr vizat.
“Ky është një trend që ne e kemi parë të përsëritet edhe tek shtetet e tjera të rajonit në momentin që ata e kanë marrë liberalizimin e vizave. Në fakt ka pas shtete fqinje, të cilat kanë pasur numra edhe shifra edhe tejet më alarmante sesa këto tona. Për shembull një studim i organizatës ESI tregon që kështu në rastin e Serbisë kemi pasur një rritje të azilkërkuesve nga gjashtë apo shtatë mijë, në pesëmbëdhjetë mijë brenda vetëm vitit të parë të liberalizimit të vizave dhe ai ka qenë një studim i konkluduar dhe me një analizë të plotë, apo edhe në rastin e Maqedonisë ka pasur një rritje pak a shumë me të njëjtët numra”, thotë ai.
Kadiu e sheh nga një perspektivë pozitive edhe çështjen e largimit të qytetarëve nga Kosova, të atyre që liberalizimin e vizave e kanë përdorur edhe për të gjetur një vend pune.
“E rëndësishme është që edhe ata që lëvizin, edhe ata që marrin kontrata pune, pas marrjes së ekspertizës, eksperiencës apo studimeve të ndryshme që i kryejnë e për të cilën fakt është një procedurë tjetër, jo ajo e liberalizimit të vizave e rëndësishme pastaj është që të kthehen e të kontribuojnë në vendin e tyre, thotë këshilltari i zv.kryeministrit Besnik Bislimi.
Në identifikimin e rritjes së azilkërkuesve, Bashkimi Evropian i ka kërkuar Kosovës që të jetë vigjilente e që autoritetet të rifillojnë fushatën e informimit të qytetarëve për të drejtat dhe obligimet e udhëtimit në vendet e BE-së pa viza.