Migrimet ilegale, pengesë serioze për liberalizimin e vizave

Liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës mund të komplikohet edhe më shumë, parashikojnë njohësit e integrimeve evropiane.

Këto mëdyshje ata i mbështesin tek qëndrimet mjaft të ngurta, siç thuhet, të Francës dhe disa vendeve tjera në raport me vendet e Ballkanit Perëndimor, që u reflektuan edhe me mungesën e konsensusit për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Presidenti i Francës, Emanuel Macron, tha se çështja e numrit të madh të azilkërkuesve nga vendet e Ballkanit Perëndimor, po ndikon që këto shtete po mbesin jashtë Bashkimit Evropian.

Kosova, aktualisht nuk është ende afër marrjes së statusit të vendit kandidat për në BE, por pritjet e saj janë që BE-ja të merr vendim pozitiv në lidhje me liberalizimin e vizave. Krahas problemeve me aspektet e sundimit të ligjit, një nga pengesat për Kosovën për heqjen e vizave ishte edhe numri i azilkërkuesve.

Por, bazuar në statistikat zyrtare, vërehet rënie e numrit të azilkërkueve nga Kosova drejt shteteve të BE-së.

Derisa në vitin 2015, numri i azilkërkuesve nga Kosova drejt vendeve të BE-së ishte shumë shqetësues, ky numër ka rënë dy vitet e fundit, sipas statistikave të Eurostat-it.

Sipas këtyre statistikave, gjatë vitit 2018, rreth 5 mijë qytetarë të Kosovës kanë kërkuar azil në vendet e BE-së. Derisa dy vite më parë, ky numër ishte dyfish më i madh.

Ligjëruesi i së Drejtës të Bashkimit të Evropian, Artan Murati, tha për Radion Evropa e Lirë, se ka një trend në rënie, nëse krahasohet me vendet tjera, madje përfshirë edhe Shqipërinë, por prapëseprapë sipas tij, këto të dhëna për qytetarët e Kosovës, të cilët kërkojnë azil në shtetet përkatëse, janë shqetësuese.

“Si rrjedhojë konsiderohet që në momentin nëse do të hapeshin kufijtë dhe do të krijoheshin mundësi, që këta qytetarë të lëvizin lirshëm në BE, atëherë kjo do të shndërrohej në një problem edhe më të madh. Por, liberalizimi i vizave do të mundësonte që edhe më mirë të ketë një mekanizëm nga shtetet e BE-së për të pasur në kontroll se kush hynë e del nga vendet e tyre dhe nuk besoj që do të krijonte ndonjë problematikë më të madhe se që ekziston tani”, tha Murati.

Kurse Përparim Kryeziu nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, tha për Radion Evropa e Lirë se nëse vendimi i BE-së, përkatësisht refuzimi i Francës sa i përket procesit të liberalizimit, është vendim mbi baza të vullnetit politik, atëherë sipas tij, cili është kuptimi i kritereve teknike të cilat Kosova është dashur t’i përmbushë.

Sipas Kryeziut, një qasje e këtillë e BE-së ndaj Kosovës, dëmton ashpër besueshmërinë në të dhe rrezikon të dobësojë rolin e saj si shtytëse e reformave për të cilat ka nevojë Kosova.

“Numri i azilkërkuesve është një pretekst i cili po përdoret nga Franca për arsyetimin e pozicionit të saj. Migrim do të ketë si pa liberalizim të vizave, si me liberalizim, të vizave. Migrimi është një formë e njohur e lëvizjes së njerëzve që nga ditët e para të shoqërisë sonë, si njerëzim. Unë konsideroj, që ky është vetëm një pretekst që po përdoret nga Franca për të legjitimuar pozicionin e saj, që është kryekëput politik ndaj Ballkanit Perëndimor, e në këtë rast edhe për Kosovën”, tha Kryeziu.

Këshilli i ministrave të BE-së, vitin e kaluar nuk e vuri fare në agjendë çështjen e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Sivjet, sipas kryeministrit në detyrë, Ramush Haradinaj pritjet janë që kjo çështje të mos lihet anash nga BE-ja.

Madje, Haradinaj i kishte uruar qytetarët e Kosovës për, sic kishte thënë ai, liberalizimin e vizave, kurse BE-në e kishte siguruar se “Kosova nuk do të eksportojë azilkërkues, kriminelë apo pasiguri në Evropë, por qytetarë të ndershëm që duan të jenë të barabartë me qytetarët e tjerë evropianë”.

Nga të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, përgjatë viteve 2013 – 2017, nga Kosova, kanë emigruar më shumë se 170 mijë qytetarë.

Numri më i madh i qytetarëve, të cilët janë larguar nga vendi gjatë kësaj periudhe ishte viti 2015, kur nga Kosova emigruan mbi 75 mijë qytetarë, shumica prej tyre në formë të parregullt.