Ballina Uncategorized Mickoski në Kosovë: Kemi marrëdhënie të shkëlqyera, bashkëpunimi ekonomik këtë vit do...

Mickoski në Kosovë: Kemi marrëdhënie të shkëlqyera, bashkëpunimi ekonomik këtë vit do të jetë mbi gjysmë miliardë euro

Qeveria e Kosovës dhe ajo e Maqedonisë së Veriut sot kanë mbajtur mbledhje të përbashkët në Prishtinë, në të cilën pritet të nënshkruhen disa marrëveshje bashkëpunimi. Në mbledhjen e përbashkët fjalime kanë mbajtur kryeministrat Albin Kurti dhe Hristijan Mickoski. Ky i fundit e falënderoi Kurtin për mikpritjen, ndërsa e theksoi edhe bashkëpunimin e mirë në mes dy shteteve.

Mickoski tha se të dy shtetet kanë sfida të përbashkëte, duke shtuar se nëse punojnë bashkë do t’i tejkalojnë më lehtë.

“As ne as ju nuk i kemi të gjitha gjërat që na duhen. Ndonjëherë ju keni diçka që na duhet neve dhe e kundërta, ndërsa duhet të ndihmojmë njëri-tjetrin. Mendoj se është vlerë e shtuar që vendet tona janë të lidhur edhe familjarisht dhe kjo të jetë urë për bashkëpunimin në të ardhmen”.

“Gjatë takimit dypalësh me mikun tim përcaktuam një qëllim që bashkëpunimi ekonomik të jetë mbi gjysmë miliardë euro, ndërsa në vitet në vijim të jetë edhe më i madh pasi kjo do të sjell përfitime për të dy shtetet. Jam i lumtur që gjatë Procesit të Berlinit firmosëm për treg të përbashkët, nëse jemi bashkë do të përfitojmë më shumë edhe ne edhe ju si shtete. Konsideroj se duke punuar bashkërisht, do të arrijmë suksese edhe më të mëdha”, tha mes tjerash Mickoski.

Ai gjithashtu njoftoi se sot do të nënshkruhen marrëveshje në fushën e energjetikës, në sferën e kalimeve kufitare dhe të arsimit.

“Sot do të nënshkruajmë marrëveshje në pjesën e energjetikës, në të cilën presim lidhje me gaz dhe të energjetikës në mes dy vendeve. Ndërsa në pjesën e kalimeve ndërkufitare, pres që brenda pak ditëve të kemi një pikë kufitare, pra qytetarët tanë të ndalen në njërin kufij dhe kjo të lehtësojë lëvizjen e qytetarëve tanë”, tha Mickoski.

Ndërsa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në fjalimin e tij tha se Maqedonia e Veriut dhe Kosova nuk kanë asnjë mosmarrëveshje.

“Republika e Kosovës dhe Republika e Maqedonisë së Veriut nuk kanë mosmarrëveshje, kemi komunikim të hapur dhe bashkëpunim të gjerë. Jemi fqinj, miq dhe partnerë të lidhur jo vetëm përmes tregtisë por edhe përmes lidhjeve mes familjeve dhe bizneseve tona që po forcohen përherë e më shumë”, tha Kurti.

Exit mobile version