Mickoski: Mbetemi të përkushtuar në rrugën tonë drejt anëtarësimit të plotë në BE

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka pritur në takim presidenten e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen, e cila ndodhet për vizitë zyrtare në Shkup në kuadër të turneut të saj në vendet e Ballkanit Perëndimor, raporton Anadolu.

Pas ceremonisë së pritjes me nderimet më të larta, Mickoski dhe Von der Leyen zhvilluan një takim kokë më kokë, duke u pasuar me një takim të dy delegacioneve. Në konferencën e përbashkët për media, kryeministri Mickoski falënderoi presidenten e KE-së për vizitën dhe dialogun konstruktiv.

“Takimi ynë ishte i një rëndësie të jashtëzakonshme për të ardhmen dhe dinamizimin e mëtejshëm të integrimeve evropiane që janë interes, prioritet dhe synim kryesor strategjik për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ne mbetemi fuqishëm të përkushtuar si qeveri, në rrugën tonë drejt anëtarësimit të plotë në BE. Qëllimi është i qartë, ne duam të jemi pjesë e familjes evropiane duke ndarë të njëjtat vlera të demokracisë, sundimit të ligjit dhe respektimit të të drejtave të njeriut”, tha Mickoski, duke shtuar se janë të vetëdijshëm se “para nesh ka sfida të rëndësishme”.

Mickoski shtoi se qeveria e Maqedonisë së Veriut vlerëson lartë përkushtimin e Von der Leyen për zgjerimin sa më parë të BE-së, duke shtuar se vendi mbetet partner stabil, i besueshëm dhe i përkushtuar i BE-së.

“Presim që BE-ja së bashku me ne të ndihmojë në gjetjen e mënyrave për të vazhduar rrugën tonë të integrimit evropian, në të njëjtën kohë duke respektuar pikëpamjet legjitime të qytetarëve tanë se në të ardhmen nuk do të përballemi me kërkesa që janë në kundërshtim të thellë me idetë dhe vlerat mbi të cilat mbështetet vetë BE-ja. Presim që BE-ja ta njohë progresin tonë dhe të vazhdojë të na mbështesë në këtë proces”, tha Mickoski.

Kryeministri maqedonas gjithashtu theksoi se qëllimi është i qartë, por se “rruga drejt tij kërkon përpjekje të përbashkëta, bashkëpunim, dialog dhe mirëkuptim të ndërsjellë”.

Sot, Von der Leyen qëndron për vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut në kuadër të turneut të saj në vendet e Ballkanit Perëndimor. Pas takimit me kryeministrin Mickoski, ajo do të niset për në vilën presidenciale ku do të pritet në takim nga presidentja Gordana Siljanovska-Davkova.