Zv/sekretarja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara (OKB), përgjegjëse për Ndihmat Humanitare, Ursula Mueller, lidhur me gjendjen e muslimanëve të Arakanit të cilët kanë ikur nga persekutimet dhe janë strehuar në Bangladesh tha se “Tragjedia në Mianmar na del përpara si tragjedia më e madhe njerëzore e epokës sonë”, raporton Anadolu Agency (AA).
“Ne shprehim shumë qartazi nevojën e përfundimit të tragjedisë dhe përmbushjes së nevojave themelore të refugjatëve”, tha Mueller, në një deklaratë për gazetarin e AA-së. Ajo shtoi se Mianmari po ballafaqohet me një krizë serioze humanitare.
“Në anën tjetër duhet t’i jepet fund sa më shpejtë operacioneve ushtarake dhe duhet të bëhet kthimi i refugjatëve që ikën nga ky rajon, duke u bazuar në kërkesa vullnetare. Duhet të garantohet edhe siguria e atyre që kthehen. Sekretari i Përgjithshëm Antonio Guterres ka dhënë deklarata të qarta. Pas thirrjeve tona, organizatat botërore vazhdojnë të bëjnë atë që munden për t’i përmbushur nevojat e muslimanëve në Mianmar si dhe për t’i dhënë fund sadopak tragjedisë”, tha Mueller.
Duke rikujtuar marrëveshjen e Arakanit mes Bangladeshit dhe Mianmarit, Muller thotë se “Ka nisur një dialog për këtë dhe zgjidhja po vërehet. Parimi bazë i tyre është dhënia fund e operacioneve ushtarake, kthimi i sigurtë i këtyre personave si dhe krijimi i një mjedisi të sigurtë për të kthyerit. Në këtë aspekt edhe ne do të vazhdojmë që të bëjmë atë që na takon neve”.