Meta: Shqipëria mbështet çdo përpjekje ndërkombëtare në të mirë të paqes

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, i është drejtuar me një fjalë përshëndetëse takimit të nivelit të lartë të përkujtimit të 75-vjetorit të themelimit të Kombeve të Bashkuara (OKB), duke theksuar se Shqipëria është një vend që vazhdon të mbështesë çdo përpjekje ndërkombëtare në të mirë të paqes dhe sigurisë globale, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në video mesazhin e tij të publikuar nga zyra e shtypit e Presidencës së Shqipërisë, Meta thekson se teksa bashkësia ndërkombëtare ka qenë në gjendje të parandalojë shpërthime ushtarake të përmasave të mëdha që u panë gjatë shekullit të kaluar, të gjitha shtetet anëtare në këtë 75-vjetor të Kombeve të Bashkuara po përballen me një armik të ri dhe të padukshëm të përmasave globale.

“Pandemia COVID-19 e ka zhytur botën në një krizë të ashpër shëndetësore dhe ekonomike, e një lloji të tillë që nuk ishte parë prej gati një shekull. Gjithsesi, ndryshe nga përvojat e Luftërave Botërore, kësaj radhe jemi të tërë bashkë në një front, të gjithë duke luftuar kundër pandemisë globale të COVID-19. Me një udhëheqje të mirë politike dhe profesionale, me një solidariteti të madh, me një koordinim më të mirë si dhe një menaxhim të mençur, ne mundemi dhe do t’ia dalim mbanë me sukses”, është shprehur Meta.

Meta shprehet se besojnë thellësisht se Kombet e Bashkuara, edhe 75 vite pas themelimit të tyre, “mbeten ende gurthemeli i një bashkëpunimi shumëpalësh të bazuar në rregulla, nga i cili përfiton bashkësia globale si e tërë”.

“Që nga fillimi, Shqipëria e përqafoi këtë organizatë të shquar në të gjithë botën si dhe u bë anëtare e saj në 1955. Shqipëria përqafoi dhe zbatoi parimet e OKB-së, që për shkak të Kartës së saj themeluese, u angazhuan për të ruajtur e për të zbatuar paqen dhe sigurinë ndërkombëtare, për të promovuar bashkëpunimin në zgjidhjen e problemeve sociale dhe ekonomike ndërkombëtare, si dhe për të punuar për barazinë dhe promovimin e të drejtave të njeriut”, theksohet më tej në fjalën e presidentit Meta.

Meta thekson se Shqipëria është një vend që ka mbështetur dhe vazhdon të mbështesë, sipas tij, çdo përpjekje ndërkombëtare në të mirë të paqes dhe sigurisë globale.

Në vlerësimin e presidentit Meta, Shqipëria ndjek dhe zbaton një politikë konstruktive rajonale, bazuar në parimet e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe respektimin e të drejtave të pakicave. Ai shton më tej se “Vendi im ndan plotësisht vizionin për një rajon më të sigurt, me një perspektivë të qartë evropiane si dhe me mekanizma gjithëpërfshirëse e të qëndrueshme për t’iu kundërvënë e për të luftuar edhe kërcënimet e reja të sigurisë”.

“Ne besojmë fort se multilateralizmi efektiv dhe qasja gjithëpërfshirëse është mënyra e vetme për të sfiduar dhe kapërcyer çështje jashtëzakonisht të ndërlikuara që lidhen me mbajtjen dhe ruajtjen e paqes dhe sigurisë së bashkësisë ndërkombëtare”, ka theksuar Meta.