Meta: Dialogu Kosovë-Serbi forcon stabilitetin në rajon

Gajtë konferencës për mediat me homologun e tij të Kosovës, Kadri Veseli, kreu i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, u shpreh se Shqipëria mbështet miratimin marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, ndërsa dialogun Kosovë-Serbi e konsideron të rëndësishëm për stabilitetin në rajon.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës ka filluar sot një viztë dyditore në Shqipëri, ndërsa takimin e parë e ka realizuar me kryeparlamentarin Meta.

Temat e diskutimit në takim kanë qenë rreth marrëdhënieve midis Kosovës dhe Shqipërisë, mundësive për rritjen e bashkëpunimit në të gjitha sferat, zhvillimet e fundit në Kosovë, etj.

“Dua të theksoj mbështejen tonë të plotë dhe pa ekuivok për realizimin(miratimin) sa më shpejt të marrëveshjes së demarkacionit mes Republikës së Kosovës dhe Malit të ZI, që është jetike dhe vendimtare jo vetëm për të përfituar liberalizimin e vizave, por edhe për ti dhënë fund një stanjacioni dhe për të ecur më shpejt në rrugën e integrimit evropian të Kosovës. Miratimi do të ishte edhe një kontribut tjetër për përfundimin e procesit të anëtarësimit të Malit të Zi në NATO. Kemi vlerësuar sjelljen e përgjegjshme të udhëheqësve të Kosovës për të mos rënë pre e tentativa provokuese, siç ishin ato me murin në Mitrovicë apo incidenti me trenin”, u shpreh Meta.

Sipas tij, ripërtëritja e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë për të avancuar më tej normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve duhet patjetër të mbështetet nga të gjithë, pasi është e domosdoshme për të forcuar stabilitetin dhe sigurinë në rajon.

Në fund Meta theksoi se Shqipëria mbështet fuqishëm integrimin europian të Kosovës, që sipas tij është interesi i gjithë shqiptarëve.

Veseli u shpreh gjatë fjalës së tij se Shqipëria dhe Kosova kanë perspektivë të qartë euro-atlantike. “Kemi qëndrime të qarta në rrugëtimin tonë për integrimin në Bashkimin Europian dhe në NATO. Shqipëria është përkrahëse e Kosovës në çdo proces drejt integrimit euro-atlantik. Përpiqemi në çdo aspekt të marrim përvojat pozitive që shteti shqiptar i ka kaluar në këtë procese, sfida që janë edhe para Republikës së Koosvës”, u shpreh ai.

Sipas Veselit, Kosova është duke punuar që të krijojë perspektivë për qytetarët e saj pa dallime etnike.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës gjatë vizitës së tij do të takohet edhe me presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, kryeministrin Edi Rama dhe me kreun e opozitës, Lulzim Basha.