Kryetari i Administratës Rajonale Kurde në veri të Irakut, Mesut Barzani përsëriti se referendumi i ashtuquatur i pavarësisë do të mbahet nesër, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë nga zyra e tij thuhet se Barzani në rezidencën presidenciale në qytezën Salahaddin në Erbil ka pritur në takim përfaqësuesin e Irakut në Kombet e Bashkuara (OKB) Jan Kubis.
Në deklaratë thuhet se Barzani dhe Kubis kanë diskutuar për referendumin i cili planifikohet të mbahet nesër.
Sipas deklaratës Barzani lidhur me thirrjet e bashkësisë ndërkombëtare dhe të OKB-së për anulimin e referendumit i ka thënë Kubis-it se “Referendumi është forma më e thjeshtë e demokracisë, se populi e ka marrë vendimin, se nuk ka kthim nga kjo dhe se më 25 shtator referendumi do të mbahet”.
Barzani po ashtu tha se “Janë të hapur për diskutime me Bagdadin, se nuk i kanë dyert e mbyllura dhe se mund t’i diskutojnë çështjet si kufiri dhe çështjet e tjera larg prej përleshjeve në një atmosferë paqësore”.
Vendimi i diskutueshëm për referendum i Administratës rajonale kurde në veri të Irakut
Kryetari i Administratës Rajonale Kurde në veri të Irakut, Mesut Barzani pas një takimi të zhvilluar me partitë politike më 7 qershor deklaroi se më 25 shtator do të organizojnë referendum, përfshirë Kirkukun dhe rajonet tjera të diskutueshme.
Ndërsa kryeministri i Irakut, Hajdar el-Ibadi, pas shpalljes së referendumit nga Barzani tha se “Kjo nismë është në kundërshtim me kushtetutën dhe se nuk do të njohin rezultatin”. Gjithashtu edhe Gjykata Federale e Irakut me të njëjtin arsyetim vendosi për ndalimin e referendumit duke e shpallur atë si të pavlefshëm.
SHBA ka paralajmëruar se është i rrezikshëm vendimi mbi referendumin i cili ka shkaktuar debate të mëdha dhe bëri thirrje që i njëjti të anulohet menjëherë.