Mësuesve do t’u njihet kontributi i viteve ’90-të

“Është detyra jonë t’i aftësojmë fëmijët tanë dhe të njohim statusin e mësuesve të viteve ’90-të”, tha sot kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Në fjalën e tij në në Kongresin e 7-të Zgjedhor të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) në të cilin kongres, Haradinaj premtoi që kjo çështje do të zgjidhet së shpejti.

“Për ta kuptuar një popull sa mirë i ka punët duhet të vizitohen shkollat. Nga shkolla e kupton se kush është ai popull dhe në çfarë parametrash vepron’, tha kryeministri, duke e vlerësuar rëndësinë e zhvillimit të procesit arsimor në vitet ’90-të.

Sipas tij, dëshmia më e mirë se jemi një popull vërtetë i suksesshëm është fakti se kemi mbajtur shkollat në vitet ’90-të në kushtet ku askush tjetër s’do të mundte.

Me këtë rast kryeministri Haradinaj falënderoi të gjithë ata që kanë arritur ta mbajnë arsimin në ato vite, në ato vite të presionit e të mohimit të gjithanshëm.

Duke folur për statusin e mësuesve të viteve të ’90-të, kryeministri tha se e kemi detyrim moral dhe do ta zbatojmë”.

Ai theksoi se partneritetin dhe dialogun që e kanë do ta bëjnë të sinqertë, jo rezultat të kushtëzimeve dhe presioneve, po rezultat i ndjenjës dhe interesit, që atë nder, atë krenari, atë vlerë e cila është unike në botë, zhvillimi i mësimit në vitet ’90-të, të shpërblehet në vazhdimësi.

Të pranishëm në këtë Kongres ishin edhe përfaqësuesit e sindikatave, nga Shqipëria, Holanda, Sllovenia, Kroacia, Bullgaria, Mali i Zi dhe Bosnjë Hercegovina./k.s/