Messi nuk paraqitet në kontrollin shëndetësor të Barcelonës

Lionel Messi, futbollisti argjentinas i cili ka kërkuar të largohet nga Barcelona, ​​nuk mori pjesë në kontrollin shëndetësor, që ishte mbledhja e parë në ekip para sezonit të ri, transmeton Anadolu Agency (AA).

Skuadra e Barcelonës mbajti takimin e saj të parë të sezonit 2020-2021 në mjediset e saj “Ciutat Esportiva”, nën udhëheqjen e trajnerit të ri Ronald Koeman.

Kapiteni i ekipit Messi nuk u paraqit në kontrollin shëndetësor, ku u kryen testet PCR për koronavirusin e ri (COVID-19).

Përfaqësuesit e mediave që prisnin para objektit përcollën hyrjet dhe daljet e futbollistëve dhe delegacionit teknik, ndërsa mosardhja e Messit u komentua si forcim i pretendimeve se ai do të largohet nga Barcelona.

Futbollisti argjentinas nuk pritet të shfaqet as në stërvitjen e parë që do të mbahet nesër.

Messi paraqiti kërkesën e tij për të braktisur skuadrën më 25 gusht.

33-vjeçari, i cili u zhvillua nga akademia e klubit katalanas dhe veshi fanellë për 20 vjet, normalisht ka një kontratë të vlefshme deri më 30 qershor 2021.

Shtypi spanjoll pohon se klauzola prej 700 milionë eurosh nuk është më e vlefshme për shkak të një neni të kontratës.

Josep Maria Bartomeu, presidenti i klubit që po kalon një periudhë të vështirë, raportohet të ketë thënë se “Nëse unë jam arsyeja, do të jap dorëheqjen, por që unë të jap dorëheqjen, Messi duhet të dalë publikisht dhe të shpjegojë se nëse unë shkoj, ai do të qëndrojë”, por që përkundër kësaj, futbollisti argjentinas insiston të largohet.

Po ashtu, pohohet se Messi, fitimet vjetore të të cilit në Barcelonë arrijnë në 100 milionë euro, tashmë ka rënë dakord me klubin anglez Manchester City.