“Messi nuk e meritoi të shpallet më i miri”

Legjenda gjermane e futbollit, Lothar Matthaeus, ka vënë në shënjestër sërish Lionel Messin, këtë herë duke thënë se sulmuesi argjentinas nuk është dashur të zgjidhet futbollisti më i mirë për vitin 2023 nga FIFA.

Matthaeus ka insistuar se Messi nuk e ka merituar këtë çmim pasi ka dështuar të fitojë “trofe të mëdhenj” në vitin e shkuar. Messi edhe një herë është shpallur lojtari më i mirë në planet. Një çmim tjetër individual, “The Best”, ka bërë që 36-vjeçari të vazhdojë të shkruajë historinë e futbollit.

Messi e inspiroi Përfaqësuesen e Argjentinës drejt triumfit në Botërorin “Katari 2022”, sukses që ia siguroi “Topin e Artë” për herën e tetë, i cili duket se po vazhdon të ketë ndikim në votimet e tjera për çmime prestigjioze.

Messi, të hënën mbrëma në ceremoninë e mbajtur në Londër, në të cilën nuk ishte i pranishëm, u shpall lojtari më i mirë për vitin e shkuar nga FIFA. Në fakt, Messi kishte pikë të njëjta sikurse Erling Haalandi i Manchester Cityt – 48 – por u shpall më i miri për shkak se ishte votuar më shumë nga kapitenët e përfaqësueseve si zgjedhja e parë.

Megjithatë, ish-kapiteni i Gjermanisë, Matthaeus, është i bindur se ky çmim nuk ishte fare i merituar nga Messi. Për më të mirin e vitit ishte marrë për bazë periudha që nuk kishte të bënte me Kampionatin Botëror, gjatë së cilës Messi ka qenë te Paris Saint-Germaini dhe ka fituar vetëm titullin e kampionit të Francës.

“Këtë herë Messi nuk mund të jetë fitues. Mendoj se ai ishte futbollisti më i mirë i dy dekadave të fundit, por këtë herë ai ka qenë te Parisi dhe Miami dhe nuk ka fituar asnjë trofe të madh apo të rëndësishëm”, ka thënë Matthaeus të martën në një intervistë për “Sky Deutschland”.

Matthaeus, i cili ka fituar Kupën e Botës me Gjermaninë dhe “Topin e Artë” në vitin 1990, ka thënë se Messi këtë herë nuk është dashur të votohet si më i miri, por të tejkalohet. Sipas tij, këtë çmim e ka merituar sulmuesi i Manchester Cityt, Erling Haaland, që shkëlqeu me ekipin anglez duke fituar tripletën.

“Nëse i shikoni sukseset e mëdha, atëherë nuk ka gjasa të kalohet Manchester City, saktësisht Erling Haalandi në zgjedhjen e lojtarit më të mirë. Ai i ka fituar trofetë më të rëndësishëm me Cityn dhe ka pasur normë impresive të golave të shënuar. Kjo do të duhej të ishte vendimtare kur zgjidhet lojtari më i mirë dhe më i rëndësishëm. E ky lojtar pa pikë dyshimi ishte Erling Haalad”, tha Matthaeus, që vazhdon të jetë shumë i vlerësuar në Gjermani.

Pas Messit e Haalandit, në renditje ishte Kylian Mbappe dhe kur u përmend emri i sulmuesit të Argjentinës si më i miri nuk pati shumë duartrokitje prej të pranishmëve.

Aktualisht Messi është në SHBA, ku po përgatitet me Inter Miamin për fillimin e edicionit të ri. Ai te kjo skuadër u transferua në verë si lojtar i lirë, pasi i skadoi kontrata me Paris Saint-Germainin.

Messi me Inter Miamin e fitoi kupën e ligës, ndërsa Haalandi ndihmoi Cityn të triumfojë në Premier League, Kupën FA dhe Ligën e Kampionëve.

Në 53 ndeshje të luajtura edicionin e shkuar me fanellën e ekipit anglez, Haaland shënoi 52 gola.