Lionel Messi nuk do ta mbyllë karrierën e tij me fanellën e Inter Miamit, anëtar i së cilës është prej më shumë se një viti pasi ai do të largohet nga klubi i MLS në fund të vitit të ardhshëm.
Sipas gazetës El Nacional, Messi nuk ka ndërmend të zgjasë kontratën me Inter Miami, e cila skadon në fund të vitit 2025, dhe plani është që të kthehet në klubin e tij të fëmijërisë edhe para kësaj kohe, pra papritur.
Natyrisht, bëhet fjalë për Newell’s Old Boys, klubi i fëmijërisë së Messit, nga ku kaloi te Barcelona si 13-vjeçar, ku u bë futbollisti më i mirë i të gjitha kohërave.
Messi nuk harroi kurrë se ku i hodhi hapat e tij të parë futbollistik dhe gazeta El Nacional kujtoi edhe deklaratën e argjentinasit të vitit 2016.
“Nëse do të kthehesha nesër në Argjentinë, gjë që do të doja ta bëja, do të luaja vetëm për Newell’s”, citohet të ketë thënë Messi.
Në gazetën e lartpërmendur thuhet gjithashtu se ky do të ishte një vendim logjik për Messin, i cili do të kthehet në atdheun e tij para Kupës së Botës 2026 në Amerikë, Kanada dhe Meksikë. Ai Kampionat Botëror sigurisht që do të jetë i fundit në karrierën e tij.
Në sezonin aktual të MLS-së, Messi ka 14 gola dhe 10 asistime në 15 ndeshje të luajtura.