Messi largohet nga Barcelona

Skuadra e Barcelonës ka konfirmuar largimin e yllit argjentinas Lionel Messi.

Në një njoftim të enjten në sajtin zyrtar, Barcelona ka thënë se ishte e pamundur që të rinovohet kontrata e Messit për shkak të pengesave financiare dhe stukturore të La Ligas.

“Pavarësisht se FC Barcelona dhe Lionel Messi kanë arritur një marrëveshje dhe synimin e qartë të dy palëve për të nënshkruar një kontratë të re sot, kjo nuk mund të ndodhë për shkak të pengesave financiare dhe strukturore (rregulloret e Ligës Spanjolle). Si rezultat i kësaj situate, Messi nuk do të qëndrojë në FC Barcelona. Të dyja palët janë thellësisht të pikëlluara që dëshirat e lojtarit dhe klubit nuk do të përmbushen përfundimisht. FC Barcelona shpreh me gjithë zemër mirënjohjen e tij për lojtarin dhe kontributin e tij për klubin, si dhe i uron atij më të mirat për të ardhmen në jetën e tij personale dhe profesionale”, thuhet në njoftim.

34-vjeçari llogaritet si njëri nga lojtarët më të mirë në historinë e futbollit. Ai realizoi 778 paraqitje me klubin e parë të Barcelonës, duke realizuar 672 gola e duke asistuar 305 herë.

Ai fitoi me Barcelonën pothuajse çdo gjë çka mund të fitohej. Messi fitoi 10 trofe të La Ligas, tetë Kupa të Mbretërit, shtatë Superkupa të Spanjës, katër Liga të Kampionëve, tri Superkupa të Evropës dhe tri Kupa të Botës për Klube.

Së fundmi, Messi kurorëzoi karrierën e tij edhe me një trofe me Argjentinën, pas triumfit në Kupën e Amerikës.

Argjentinasi është gjashtë herë fitues i Topit të Artë, teksa është favoriti kryesor për të rrëmbyer një çmim të tillë edhe këtë sezon.

Messi u transferua te Barcelona në vitin 2000 nga Newell’s Old Boys. /koha