Mësoni fëmijët të thonë të vërtetën

Profesor i psikoterapisë Dr. Ahmad Az-Zubi e koncepton gënjeshtrën si vijon: “Gënjeshtër është të thuash diçka të pavërtetë me fjalë, vepra apo sjellje, me qëllim që të arrihet një përfitim i caktuar ose për të shmangur situata të papëlqyeshme.

Gënjeshtra në këtë aspekt konsiderohet si një sjellje e gabuar që mund të nxitet dhe nga ambienti ku jeton”. Fëmijët nuk kanë lindur me një kod të caktuar moral, kjo është diçka që duhet ta përfitojnë teksa rriten.

Ndër vështirësitë që hasin prindërit gjatë edukimit të fëmijës është edhe ‘të gënjyerit’. Sjellje kjo që i bën edhe vetë prindërit të ndjehen shumë konfuz. Shumë pyetje dhe paqartësi lindin nga kjo situatë.

Pse fëmija im gënjen? Mos kam dështuar në edukimin e tij? Si ta kuptoj që po më gënjen? Si të reagoj kur e kuptoj që fëmija po më gënjen? A mund ta parandaloj këtë sjellje dhe si? E të tjera pyetje si këto.

Është e pashmangshme për prindërit që të mos përballen me ‘gënjeshtrat’ e fëmijëve të tyre në situata të ndryshme. Edhe pse është shumë e vështirë të jepen përgjigje fikse për secilën situatë, është e rëndësishme që prindërit të pajisen me disa koncepte të përgjithshme dhe më pas t’i bashkëngjitin atyre kreativitetin dhe shkathtësinë e tyre.

Në faza të ndryshme të zhvillimit të fëmijës arsyet e mos thënies së të vërtetës janë të ndryshme. – Gjatë tre vitet e para të jetës 1-3 vjeç.

Fëmijët janë shumë konfuz ndaj botës. Në këtë periudhë ata janë shumë të ndërvarur nga të rriturit për jetesën e tyre. Kur ata dëgjojnë tonin e ashpër të prindërve: “T’i e derdhe lëngun?”, sigurisht që ata do të përgjigjen “Jo, nuk e bëra unë”.

Ata duhet të ruajnë mirë marrëdhënien me të rriturin nga i cili varen. Në këtë moshë fëmijët mund të gënjejnë edhe sepse nuk e mbajnë mend se çfarë realisht ka ndodhur, veçanërisht kur ka kaluar pak kohë nga veprimi.- Gjatë viteve 3-5 vjeç.

Fëmijët gënjejnë sepse akoma nuk e kanë të qartë ndryshimin midis fantazisë dhe realitetit. Shpesh herë ato e kanë të vështirë të kuptojnë ku mbaron imagjinata dhe ku fillon realiteti. – Në moshën 5-8 vjeç.

Fëmijët gradualisht fillojnë të kuptojnë konceptin e gënjeshtrës dhe se kjo sjellje i zhgënjen prindërit e tyre. Në këtë moshë ata fillojnë të zhvillojnë ndjesinë e fajit për veprat e papëlqyeshme që mund të bëjnë.

Nëse ata gënjejnë mund ta bëjnë për të shmangur ndëshkimin, pakënaqësitë e prindërve apo se duan të tërheqin vëmendjen. – Mbi 8 vjeç e sipër kur fillojnë të shfaqen dhe ndryshimet e adoleshencës.

Në këtë fazë gënjeshtra mund të shihet si një problem më serioz dhe më i pa tolerueshëm. Pasi në këtë moshë fëmija e ka shumë të qartë konceptin e gënjeshtrës dhe pasojat e saj.

Në këtë periudhë adoleshenti mund të gënjejë për të ruajtur privatësinë e tij, për të shmangur situata të sikletëshme, për të shmangur ndëshkimin, për të mos bërë një punë të caktuar që i është kërkuar ose për të arrirë diçka të cilën nuk mund ta arrijë nëse thotë të vërtetën.

Arsyet e mos thënies së të vërtetës nga ana e fëmijëve mund të vërehen në mosha të ndryshme, por ajo çka i dallon ata është qartësia e konceptit mbi gënjeshtrën. Edhe një fëmijë 5 vjeç mund të gënjejë për të shmangur ndëshkimin apo për të arrirë diçka që ai do, njësoj siç mund të bëj dhe adoleshenti.

Por në këtë rast theksi vihet tek fakti që fëmija 5 vjeç e përdor gënjeshtrën si zgjidhje problemi dhe nuk përdor logjikën e vetëdijshme që po bën një gabim apo mëkat.

Ndërsa adoleshenti është i aftë në bazë të zhvillimit të tij të eksplorojë mënyra të ndryshme të zgjidhjes së problemit, ndërkohë që ai me logjikë dhe vetëdije zgjedh gënjeshtrën edhe pse e kupton që është një sjellje e gabuar që ndoshta pasojat mund t’i ketë më afatgjata.

Gjithë shqetësimi i prindërve më së shumti shtrihet në faktin se si duhet të reagojnë karshi kësaj sjelljeje. Sugjerimet apo këshillat në këtë drejtim janë të shumta.
Një element shumë i rëndësishëm është që, reagimi i prindërit ndaj gënjeshtrës nuk duhet të ndodh para se të konfirmohet se fëmija po gënjen vërtet.

Më vjen ndërmend këtu një rast i cili e përcjell mjaft mirë rëndësinë e konfirmimit të gënjeshtrës: – Sapo ra zilja e derës në një shtëpi, menjëherë fëmija 4 vjeçar shkon të hap derën.

Pasi kthehet me naivitetin e tij si fëmijë, duke vrapuar, i tregon gjyshit të tij për vizitorin që kish ardhur: “Gjysh! Gjysh! Shejh El-Uthejmin po pret në sallon.” Gjyshi buzëqeshi dhe e pyeti: “Kush është Uejs, fol seriozisht”.

Uejsi i bindur përgjigjet: “Për zotin, gjysh, Shejh El-Uthejmin po pret në sallon”. Ndërkohë që gjyshi shkon të mirëpres mikun e tij, e ëma e Uejsit fillon t’i bërtasë të birit duke e akuzuar për gënjeshtrën e tij.

Lëre, thotë i gjyshi teksa vjen me mikun e tij. Ai nuk gënjeu, pardje na ka dëgjuar duke folur për shejh El-Uthejmin (Zoti e mëshiroftë), të cilin unë e përshkrova si një burrë të gjatë me fytyrë të rrumbullakët, me sy të mëdhenj dhe me mjekër të bardhë.

Kur Uejsi pa mikun tim Hysenin, me të njëjtën ngjashmëri, mendoi se ishte Shejh El-Uthejmin.

Disa shenja ndihmuese për të kuptuar nëse fëmija po gënjen apo jo, mund të jenë:
– Pasiguria në të folur dhe thënia e fjalëve kontradiktore nga njëra-tjetrën.
– Shenja fizike si djersitje, skuqje, frymëmarrje e shpejtë apo ftohtësi e gjymtyrëve.
– Mos shikimi i prindit në sy kur flet, përpiqet t’i shmanget situatës.
– Betime të pa nevojshme edhe kur nuk është akuzuar për diçka.

Edhe nëse prindi vë re disa nga këto shenja tek fëmija, për të konfirmuar saktë nëse ai nuk po e thotë të vërtetën, duhet, që edhe të komunikohet butësisht me të. Ndërsa akuza nga ana e prindërit, duhet të jetë e fundit gjë që i duhet të bëjë karshi fëmijës.

Ta akuzosh fëmijën për gënjeshtër ndërkohë që ai nuk po e bën këtë sjellje tregon mungesë besimi ndaj tij. Virtyti i së vërtetës

Siç e përmendëm dhe më sipër frika nga ndëshkimi është një ndër stimuluesit kryesor të gënjeshtrës. Në vend të ndëshkimit është më efektive të promovohet vlera e së vërtetës.“Sinqeriteti shpie në devotshmëri dhe devotshmëria shpie në xhenet….” (Muhamedi a.s).

Mundohuni t’i bëni të qartë fëmijës se të tregosh të vërtetën është cilësi shumë e mirë. Përmendini që një ndër emrat e profetit a.s ishte “I sinqerti”, pasi ai gjithmonë tregonte të vërtetën edhe në situatat më të vështira.

Të tregosh të vërtetën të sjell shumë të mira të tjera, të mundëson të kënaqësh Zotin dhe kur ti kënaq Zotin, Ai mundëson që të tjerët (njerëzit) të jenë të kënaqur me ty.

Një mënyrë për t’i treguar fëmijës vlerën e së vërtetës është duke u bërë vet një model sinqeriteti. Në asnjë lloj forme fëmija nuk duhet t’iu dëgjoj të gënjeni as atë dhe as dikë tjetër.

Tregohet se profeti a.s një ditë pa një nënë që po thërriste të birin duke i thënë se do i japë diçka. Profeti a.s e pyeti se çfarë do t’i jepte dhe ajo ia tregoi. Më pas profeti a.s i thotë: -Nëse ti nuk ia jep atij atë çka i premtove, dije se po bën mëkatin e të gënjyerit.

Është e pavlerë t’i thuash fëmijës, “të gënjesh është gabim”, ndërkohë që t’i po bën të njëjtën gjë. Kështu fëmija do të bëhet konfuz në të kuptuarit e konceptit ‘e gabuar’.

Ai do të mendojë: “Nëse mos thënia e së vërtetës është e gabuar atëherë përse mami dhe babi gënjejnë, apo mos ndoshta gabimi nuk është diçka e keqe?”. Mesazhi tjetër që fëmija mund të marrë është humbja e besimit tek prindi, i cili tjetër thotë dhe tjetër bën.Përshtati-Suada Hajredinaj-/Mesazhi/