Mësimi në shkollën “Mustafë Venhari” në Vushtrri do të vazhdojë online pas rasteve me COVID-19

Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ka bërë të ditur se nxënësit e shkollës fillore të mesme të ulët “Mustafë Venhari” nga nesër mësimin do ta vazhdojnë në distancë (online) për shkak të disa rasteve me COVID-19 që janë shfaqur atje ditë më parë.

Tahiri ka thënë se kjo u bë bazuar në protokollin për rregullat e sjelljes në shkollë në kushte pandemie, duke kërkuar nga institucionet përgjegjëse që të nxjerrin vendim për kalimin nga skenari A i mësimit në skenarin C që do të thotë mësim në distance dhe online.

“Ditën e mërkurë, në një shkollë në qytet për fat të keq, u paraqiten raste të dyshimta të infeksionit me COVD 19 te nxënësit. Kemi reaguar menjëherë dhe në bashkëpunim me IKSHPK janë testuar nxënësit e dy klasave dhe i gjithë stafi i shkollës. Fatkeqsisht disa raste, nxënës e mësimdhënës kanë rezultuar pozitiv me COVID 19. Të gjithë të infektuarit janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe nuk kanë probleme”.

“Ishim dhe jemi të vetëdijshëm se jemi në kushte pandemie dhe mund të ndodhin të papritura, por kthimi i fëmijëve në shkollë nuk kishte dhe nuk ka alternativë përkundër sfidave”

“Task Forca Komunale, Shtabi Emergjent dhe MSH, MASHT e IKSHPK do të përcjellin situatën dhe në kohë do të marrin vendim për rikthim në shkollë varësisht nga situata epidemiologjike”, ka shkruar Tahiri në rrjetin social Facebook.

Exit mobile version