Ballina Kulturë “Mesdheu”, një film për krizën e emigrantëve në Evropë

“Mesdheu”, një film për krizën e emigrantëve në Evropë

“Mesdheu”, një film bazuar në një histori të vërtetë që tregon se si u shpëtuan më shumë se 62 mijë emigrantë në detin Mesdhe u shfaq premierë në Festivalin e Filmit në Romë.

Filmi artistik spanjoll tregon se si Oscar Camps, një qytetar katalanas dhe aktivist me një anije të vogël filloi të shpëtojë nga mbytja refugjatët sirianë në ishullin e vogël grek Lesbos, në vitin 2015.

Pasi panë fotografinë tronditëse të një djali të vogël të mbytur në Detin Mesdhe, Oscar dhe Gerard udhëtojnë drejt ishullit grek. Kur mbërrijnë aty zbulojnë një realitet tronditës: mijëra njerëz rrezikonin jetën çdo ditë duke u përpjekur të kalojnë detin në anijet pasigurta për të shpëtuar nga konfliktet e armatosura në vendet e tyre.

Ata nisën një mision për të shpëtuar sa më shumë jetë njerëzish që ishte e mundur.

“Ne nuk do të kemi sukses nëse nuk ngjallim zemërmin e publikut, nëse nuk u tregojmë atyre se çfarë po ndodh. Ky film tregon pa filtra, pa komente politike se çfarë ndodhi dhe si kanë jetuar qytetarët e zakonshëm në këtë situatë, si ishte të jetoje në Lesbos. Filmi rrëfen reagimin e banorëve vendas, edhe të atyre që ishin kundër emigrantëve. Por kur këta të fundit panë atë që ndodhte, ata lanë gjithçka për të shpëtuar jetët e ketyre njerëzve”, thotë Oscar Camps, nga organizata “Proactiva Open Arms”.

“Sfida e madhe që kisha me këtë film ishte të isha i paanshëm, të isha i drejtë me subjektin. Ta trajtosh atë që ka ndodhur me dinjitet, me respektin më të madh dhe në të njëjtën kohë që duhet të bësh një film që prek njerëzit dhe ata të diskutojnë për një temë kaq të rëndësishme sa kjo”, thotë regjisori Marcel Barrena.

Pak kohë më vonë organizata “Open Arms” e Oscar Camps do të zgjerohej dhe me dy anije arriti të shpëtojë mijëra refugjatë nga Libia, falë vullnetarëve dhe donacioneve. Por ndaj kësaj organizate nuk munguan as sulmet politike nga partitë e krahut të djathtë që ishin kundër emigrantëve.

Në gusht të vitit 2019, ministri i Brendshëm i Italisë Matteo Salvini mohoi hyrjen në një port italian për një anije të organiatës “Open Arms”. Anija mbeti e bllokuar në det për 19 ditë me më shumë se njëqind emigrantë në bord.

Më pas aktori amerikan Richard Gere hipi në bordin e anijes duke shpërndarë dhe ndihma ushqimore, një mënyrë kjo për të ndikuar në opinion public që të zhbllokohej situate.

Filmi u trasmetua në Itali një javë para hapjes së gjyqit kundër ish-ministrit Salvini, për urdhrin e tij për të mbajtur në det të hapur refugjatët.

“Duhet të bëhet drejtësi. Vuajtje të panevojshme u janë shkaktuar 160 njerëzve, të cilët kishin pësuar përdhunime, abuzime, skllavëri, tortura vetëm për të fituar mbështetje politike. Për shkak të një fushate politike ata (refugjatët) duhej të vuanin për gati 20 ditë”, thotë Oscar Camps, nga organizata “Proactiva Open Arms”.

Sipas Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin më shumë se 1300 persona janë mbytur në detin Mesdhe në përpjekje për të kaluar nga Afrika veriore në Evropë këtë vit.

Exit mobile version