Ballina Lajmet Shqipëri Mesazhi i vajzës me tumor në gji: Duajeni jetën

Mesazhi i vajzës me tumor në gji: Duajeni jetën

Elona është një vajzë 31-vjeçare e prekur nga kanceri në gji, e cila ka një mesazh të fortë për njerëzit: Duajeni jetën.

Në intervistën e saj për Channel One, ajo u pyet se ku e gjen forcën për ta përballuar këtë sëmundje.

“Tek jeta. Tek çdo gjë mund të gjesh forcë. Tek një moment i jetës tënde. Duke qenë se jam e prekur, e përfshirë në këtë sëmundje, një diagnostikim i hershëm shpëton një terapi shumë të gjatë”, rrëfeu Elona.

Ndër të tjera, zbuloi se mësoi për sëmundjen para një viti prej një kontrolli të rastësishëm.

“Një vetëkontroll i rastësishëm dhe zbulova një gjendër të ngritur mbi sipërfaqen e gjoksit. E imja ka qenë një fazë jo shumë e avancuar por kërkonte trajtimin e ndërhyrjeve kirurgjikale dhe kimioterapisë. E dija rrugëtimin tim, mbase jo të gjithin sepse gjatë gjithë vitit kuptova që është i gjatë që kërkon durim dhe shumë forcë. Në ato momente e kuptova se do përballesha me një sfidë shumë të madhe. Ishte e vështirë ta pranoja, mu desh t’ia pohoja vetëm njeriut më të afërt timit që më ka shoqëruar gjatë gjithë kësaj periudhe që është mikesha ime më e mirë. Kjo sëmundje tek ne nuk ka trashëgimi familjare, kështu që nuk është gjenetike”, tha ajo.

Vështirësia më e madhe për të ishte kur duhet t’ia rrëfente familjes, por optimizmi i saj i ndihmoi që të mos e përjetonin rëndë. Vetëbesimi se mund t’ia dalë e bëri që të mposhte sëmundjen.

“Prindërit kanë qenë të fundit që e kanë marrë vesh. Shumë nga forca ime ia kam kaluar atyre, mbase kam mësuar dhe unë nga forca e tyre.  Në momentin që pashë rëniet e flokëve, vendosja ti prisja të gjitha, të isha me flokët 0. Kam lëvizur kudo në jetën time të përditshme, ndieja shikimet e njerëzve që më shihnin çuditshëm, por ndihesha mirë që e po e bëja atë gjë. Në fund të fundit do duhet t’ia shprehja të tjerëve, mbase në këtë formë arrin ti perceptosh të paktën që çdo sëmundje duhet kaluar”, përfundoi Elona.

Exit mobile version