Rashida është 25 vjeçare, dhe vjen nga shteti Rakhine i Mianmarit, të cilin ajo e la nëntë ditë më parë.
Historia e saj prekëse ka tërhequr vëmendjen e Al Jazeeras, të cilët kanë realizuar një storie për të.
“Emri im është Rashida dhe unë jam 25 vjeçare. Para luftës në Arakan, unë kisha një jetë shumë të qetë dhe të thjeshtë. Ne kishim disa fusha të cilat i kemi kultivuar. Atëherë unë kisha shtëpi, ku jetonim me burrin dhe tre fëmijët tanë. Gjithcka ishte në rregull dhe paqësore dhe ishim shumë të lumtur derisa ndodhi kriza.
Tani, ne kemi lënë gjithçka mbrapa. Shtëpia dhe fushat tona janë djegur kështu që nuk mund të jetojmë më atje.
Kur ushtria nisi ofensivën në fshatin tonë, ne i çuam fëmijët në xhungël dhe i fshehëm; ata ishin të frikësuar nga egërsirat. Kur u kthyem për të kontrolluar shtëpinë, pashë me sytë e mi se shumë njerëz ishin vrarë.
Nëpër xhungël, ne ecëm për tetë ditë derisa arritëm në kufi. Ishim shumë të uritur dhe nuk kishim asgjë për të ngrënë, përveçse barishteve dhe pemëve që gjendeshin nëpër mal. Fëmijët kërkonin ushqim, por nuk kishim asgjë me vete.
Kaluam kufirin me një varkë të vogël, e cila ishte shumë e rrezikshme dhe mendova se do të fundosej, kështu që i shtrëngova fort fëmijët e mi.
Por ne nuk po marrim mbështetje të mjaftueshme këtu. Populli i Bangladeshit është shumë i sjellshëm dhe bujar, por ende nuk kam parë asnjë organizatë ndërkombëtare. Uroj që ata të na ndihmojnë gjithashtu – ne kemi nevojë për ushqim për të ngrënë.
Mesazhi im për botën e jashtme është se duam paqe, dhe se nuk kemi të ardhme pa paqe. /MESAZHI/