Ballina Artikuj Mesatarja islame, alternativa e vetme unifikuese

Mesatarja islame, alternativa e vetme unifikuese

Prof. Driton Arifi

Sa herë që ndalemi dhe trajtojmë ndonjë prej veçorive të Islamit, krijohet përshtypja se ai ngërthen në vete një fuqi triumfuese mbi çdo ideologji dhe religjion tjetër, por një gjë të tillë kemi mundësi ta konceptojmë mirëfilli vetëm nëse i qasemi atij në mënyrë burimore, me objektivizëm të pastër dhe pa prejudikime tendencioze.

Me plot të drejtë themi që madhështia e kësaj feje magjepse secilin që dëshiron ta nuhatë e ta shijojë atë, sepse ajo ka burimin e vet në Urtësinë Hyjnore të Krijuesit të Gjithëdijshëm. Islami është fe, dhe jo vetëm religjion, të cilën Allahu e zgjodhi që të jetë program jete për të gjithë brezat dhe në të gjitha kohët. Një mundësi të tillë nuk do ta kishte sikur ai të mos posedonte një veçori esenciale, e cila gjithnjë e më shumë dikton nevojën imediate në kohën tonë, që të kristalizohet më shumë e të vihet në spikamë më fuqishëm përpara njerëzimit mbarë. Ajo është veçoria e mesatares, një veçori kjo, e cila sot ndoshta më shumë se kurrë më parë, ka nevojë të vihet në spikamë, të sendërtohet dhe t’i vihen margjinat konceptuale në mënyrë të saktë dhe me përpikshmëri të plotë. Një sqarim i thellë dhe gjithëpërfshirës i këtij koncepti mëton të jetë prej pikave që duhet t’i brengosin të gjithë ata që preokupim të tyre kanë thirrjen islame dhe kumtimin e Porosisë Hyjnore. Kujdesi i tyre në këtë pikë duhet të jetë në nivelin më të lartë, ngase ata janë bartësit e misionit më të shenjtë në tokë, të cilin e kanë bartur para tyre njerëz të zgjedhur nga ana e Allahut, ekskluzivisht pejgamberët e Tij. Dhe çdo pikëpamje jo e drejtë rreth kësaj pike nënkupton shpërfytyrim të Islamit burimor dhe njollosjen e tij me ngjyra e teka individuale, të cilat mund ta lëndojnë imazhin e tij të kthjellët para syve të botës. Atëherë, çfarë kemi për synim me termin ”Islam mesatar”, meqë boshti i kësaj trajtese sillet rreth tij.

Kristalizimi i nocionit të mesatares islame – El-vasatijje

Mesatarja është fjalë që nënkupton epiqendrën ose pikën në të cilën bashkohen të gjitha skajet. Edhe në gjuhën arabe shprehjen “El-vesat” dijetari Ibn Ethiri e sqaron në këtë mënyrë: ”Çdo cilësi e lavdëruar, e cila ka dy skaje të urrejtura, sikur që bujaria është në mes të koprracisë dhe shpenzimit të tepërt, pastaj edhe trimëria në mes të frikës dhe hedhjes së rrufeshme e pa maturi …..Për këtë arsye, njeriu është i urdhëruar të distancohet nga çdo tipar i urrejtur. Dhe pozita për të qëndruar më së largu nga këto tipare të papëlqyera, pa dyshim që është mesi (i artë), dhe ai i cili gjendet në mes, i tilli është larguar nga skajet e urrejtura aq sa i është dhënë mundësia në mënyrën më të mirë”1. Ndërsa në aspektin ideologjik islam, nocionin e mesatares e sqaruan shumë prej dijetarëve të mëhershëm dhe jo vetëm ata bashkëkohorë. Imam Shatibiu, autori i librit të mirënjohur ”Elmuvafekat”, duke folur për mesataren në normat dhe ligjet islame, thotë: ”Ligji sheriatik gjatë ngarkesës që u bën njerëzve, ka parasysh rrugën e mesatares së drejtë, duke e marrë nga të gjitha skajet, në mënyrë që të mos ketë anim fare në ndonjë aspekt, duke pasur parasysh mundësinë e njeriut, pa e stërngarkuar atë tej mase, dhe duke mos e lënë atë të lirë pa kurrfarë ngarkese, po i tëri është një ngarkesë e ekuilibruar mbi të gjithë njerëzit në formën skajshmërisht të drejtë, dhe, nëse shikon në ndonjë rregull sheriatike, do të gjesh se ajo qëndron në atë mesataren (e kërkuar)..”(2)
Madje Imam Ibn Tejmije mesataren e konstaton prej veçorive të Ehli-Synetit (Pasuesve të Synetit) ku thotë: “Islami është feja e mesit , krahasuar me të gjitha fetë e tjera. Ata qëndrojnë në mesin( e artë) në bindjet e tyre rreth pejgamberëve të Allahut, pastaj në Emrat e bukur dhe Cilësitë e përkryera të Tij, pastaj në qëndrimet e tyre karshi ajeteve kërcënuese dhe inkurajuese…dhe ata qëndrojnë në mesataren në të gjitha çështjet e fesë dhe sheriatit islam, ngase të tillët janë të kapur për traditën e të Dërguarit s.a.v.s. dhe gjeneratave tona të para e të mira
–Zoti qoftë i kënaqur me të gjithë ata-“.(3)
Mesatare islame është botëkuptim që synon për t’u ikur dy poleve të kundërta dhe skajshmërisht ekstreme. Ndërsa prej dijetarëve bashkëkohorë, më i zëshmi në kthjelltësimin e mesatares islame, doli të jetë Dr.Jusuf Kardavi, i cili këtë tematikë e trajton në shumë prej shkrimeve të tij, duke u munduar të prezantojë kështu një islam mesatar, i cili ruan origjinalitetin e vet burimor në njërën anë, kurse, në anën tjetër, u përpoq ta paraqesë atë si fe kompatibile dhe të përgjegjshme ndaj të gjitha kërkesave të kohës bashkëkohore. Ai në këtë përpjekje ishte mjaft transparent dhe i qartë, që s’la edhe shumë vend për interpretime të gabuara e as tendencioze. Përkitazi me këtë nocion, vë theksin në këtë mënyrë: ”Në shumicën e çështjeve ideologjike e praktike, humbet e vërteta në mes dy poleve të kundërta kundërthënëse. Në mes atyre që shkojnë në skajshmëri, ekstremitete e teprime, si dhe atyre që bëjnë tolerime të pabaza e lëshime tej mase,të cilat janë mangësime të qarta, saqë thuajse nuk u ka mbetur kurrfarë baze akaidologjike dhe as obligime që dëshirojnë t’i kryejnë ato. Të tillët i lejojnë të ndaluarat dhe fenë e konsiderojnë sikur të ishte një brumë elastik, të cilin mund ta formësojnë ashtu siç dëshirojnë ata. Ndërsa Ymeti të cilin e cilësoi Allahu {si Umet i mesit e i zgjedhur}, është i ruajtur nga këto dy lloje ekstremitetesh, të tillët nuk bien asnjëherë në ujdi për diçka që i shpie ata në shkatërrim”(4)
Thënë prerazi, mesatare islame është ajo pikëpamje dhe ai botëkuptim që synon t’u ikë dy poleve të kundërta dhe skajshmërisht ekstreme në çdo aspekt të fesë. Nuk pajtohet as me ata që bëjnë përpjekje për ta zhveshur Islamin nga tipari i tij hyjnor, në mënyrë që të jetë i interpretueshëm sipas pasioneve dhe tekave të tyre, por as nuk pranon që ai të konceptohet si tërësi e dogmatizuar dhe e përkufizuar në disa çështje joakaidologjike, të cilat ishin pika diskutimi në mes të dijetarëve gjatë gjithë kohëve. Një botëkuptim i tillë për mesataren do të duhej të trajtohej nga akademitë e simpoziumet e shumta shkencore anekënd botës islame dhe joislame, dhe kjo nga njerëz të cilët kanë dëshmuar përkushtimin e tyre të madh në fe, por edhe qasjen e tyre të thellë rreth problematikave islame. Një gjë e tillë relativisht është duke ndodhur, pavarësisht nga rezerva të mëdha që mund të shfaqin individë të caktuar aty-këtu. Këtë e bëjnë, ngase një pikëpamje e tillë bie ndesh qartazi më perceptimet e tyre të ngushta dhe me pikëpamjet e tyre të ngurta rreth kësaj çështjeje.

Mesatarja, kërkesë Kur’anore

Islami është fe e mesatares, dhe rrjedhimisht Ymeti mysliman do të duhet të mbajë gjithashtu timonin e kësaj mesatareje në tokë, sepse ata janë pasuesit vetëm konsekuentë dhe të denjë të kësaj feje. Nuk ishte vetëm një pasion personal, dhe as tendencë vetanake e atyre dijetarëve eminentë, pse iu qasën kësaj veçorie për ta ndriçuar e artikuluar në mënyrë tejet objektive. Ajo ishte një çështje që Allahu e dëshiroi për pasuesit e rrugës së Tij, dhe në mënyrë të qartë e theksoi në Kur’anin fisnik, ku tha: ”Dhe ashtu (siç ju udhëzuam në fenë islame) Ne ju bëmë ju një popull të drejtë (një mes të zgjedhur, Umet të mesatares) për të qenë ju dëshmitarë (në Ditën e Gjykimit) ndaj njerëzve, dhe për të qenë i dërguari dëshmitar ndaj jush….” ( El-bekare , 143).
Ky citat u bë pikë referimi për të gjithë ata ideologë e dijetarë të hershëm, po ndoshta më tepër për ata bashkëkohorë, të cilët e trajtuan temën e veçorisë së mesatares në një pikëpamje më të thellë e më gjithëpërfshirëse sesa është komentuar nga komentatorë tradicionalistë të Kur’anit. Komentet e këtyre të fundit, më tepër përqendroheshin në çështjen se fjala ”Ummeten vesatan” ka domethënien e popullit më të drejtë dhe më të zgjedhur, epitete këto të dhuruara nga Allahu, sepse Ai tha: “ Ne ju bëmë ju” , e jo që ju i poseduat ato vetvetiu, por na e dhuroi fenë e zgjedhur e na bëri pasues të saj, dhe në këtë mënyrë merituam të jemi më të drejtët dhe më të zgjedhurit e njerëzimit. Këtë komentim e bënin duke u mbështetur në faktin se Ymeti i Muhamedit a.s. do të jetë dëshmitar para popujve të tjerë në Ditën e Gjykimit, atëherë kur pejgamberët do të ballafaqohen me popujt e tyre, dhe popujt do të mohojnë
faktin se atyre u ka arritur Porosia e Allahut, do t’i përgënjeshtrojnë të dërguarit e tyre, kurse Ymeti i Muhamedit a.s. do të ngrihet e do të dëshmojë se Pejgamberët e Zotit e kanë kumtuar mesazhin me të cilin kanë qenë të ngarkuar. Dhe kjo dëshmi do t’u pranohet, sepse ata e kanë epitetin e popullit të drejtë e të zgjedhur, dhe dëshminë e tyre do ta mbështesin tek lajmërimi që ka bërë Muhamedi a.s. se bashkëmisionarët e tij – të dërguarit e Allahut, e kanë bërë kumtimin e Porosisë Hyjnore pa lënë mangut asgjë. Pranimi i një dëshmie të tillë para njerëzve, do të vihej në pikëpyetje sikur pasuesve të Muhamedit a.s. t’u mungonte tipari i drejtësisë dhe besueshmërisë (mesatares së zgjedhur). E gjithë kjo është transmetuar në hadithe të sakta, nga komentatorët e hershëm në kontekst të komentimit të këtij ajeti të Kur’anit fisnik.(5)

Një trajtim më gjithëpërfshirës rreth konceptit të mesatares së Islamit

Megjithatë, një koment i tillë jo vetëm që është i saktë, por është në përputhje të plotë me atë që vënë në spikamë ideologët dhe dijetarët bashkëkohorë islamë. Këta të fundit janë të bindur se pasuesit e Muhamedit a.s.. do të jenë dëshmitarë të popujve në Ditën e Gjykimit. Vetëmse, përveç kësaj, sipas citatit të theksuar më lart, ata do të duhet të reflektojnë bindje, besim, kulturë,civilizim dhe vlera të larta para popujve të tjerë edhe në këtë botë, në mënyrë që të paraqesin modelin më të përkryer të mundshëm, i cili do të ishte i denjë dhe i merituar për të qenë shëmbëlltyrë e të gjithëve. Një epitet të tillë myslimanët do ta meritonin vetëm nëse ata do t’i përmbaheshin programit të mesatares islame, dhe kurrsesi me të huajsime, imitime të verbra, zbehje të praktikumit të tij e zhveshje nga parimet e tij, por as me tejkalime, teprime, stërngarkesa, ekstremitete dhe skajshmëri. Madje edhe Pejgamberi a.s. vuri në dukje këtë, kur tha: ”Çështjet më të mira janë ato të mesatares (së drejtë)” Kjo porosi profetike nuk është tjetër përveçse një artikulim i qartë i asaj që i takon kësaj feje dhe që përputhet në tërësi me Porositë e Zotit të zbritura në Kur’anin fisnik. Nisur nga ky koncept më i gjerë i nocionit të mesatares, mund të themi se suksesi ynë në fushën e thirrjes është i ndërlidhur shumë me masën e konsekuencës sonë ndaj mesatares islame. Ngase, vetëm duke qëndruar në mesin e lavdëruar, mund të ofrojmë modelin dhe shëmbëlltyrën e Islamit për të gjitha shtresat dhe kategoritë e njerëzve. Çdo distancim yni nga ai pozicionim dhe nga ato pikëpamje, nënkupton vënien e barrierave shtesë në rrugën e thirrjes, si dhe reduktimin e shtresave të njerëzve që do të mund të merrnin ndonjë model të gjallë të Islamit të pastër dhe të ruajtur prej skajshmërive ekstreme, në të cilat kanë mundësi të kanalizohen, me ose pa dëshirë, disa thirrës të rrugës së Allahut. Përpjekje individuale mund të bëjmë në këtë sferë, dhe në të njëjtën kohë edhe mund të preferojmë ndonjërën prej skajshmërive,të cilat distancohen nga mesatarja e artë islame, por le ta kujtojmë gjithnjë se Zoti në Kur’anin fisnik e kishte urdhëruar Muhamedin s.a.v.s. të proklamonte haptazi rrugën e Tij të drejtë, duke i thënë: ”Dhe se kjo është rruga (feja) Ime e drejtë (që e caktova për ju), pra përmbajuni kësaj e mos ndiqni rrugë të tjera e t’ju ndajnë nga rruga e Tij. Këto janë porositë e Tij për ju, në mënyrë që të ruheni” (El enam, 153) (vijon)

_______________________
1)En-nihaje fi garibil-hadith, Ibn Ethir (F. 848, vëll. II).Bot. i parë. Bejrut 2001.
2)El-muvafekat , Imam Shatibiu,(Fq.163-168, vëll. II) Bot. i parë .Bejrut. 2002.
3) Mexhmuul –fetava ,Ibn Tejmijje. (F. 373, vëll. III) Bot. i II. Kajro.2002.
4)El-vasatijje el-islamijje, Dr. Jusuf Kardavi. (Fq.37-38).Bot. i parë. Kajro.2008
5 ) Tefsirut-taberijj, Ibn Xherir Et-taberi , (f,10 vëll. II )Bot. i 4 ,Bejrut 2004.
Tefsir Ibn Kethir, nga Ibn Kethiri (f 271 vëll. I) Bot. i 5, Rijad 2001.

Prof. Driton Arifi

Dituria Islame 235

Exit mobile version