Kancelari i ardhshëm i mundshëm i Gjermanisë, Friedrich Merz, ka shprehur skepticizëm për vendosjen e trupave evropiane në Ukrainë, por është zotuar për vazhdimin e mbështetjes financiare dhe me armë për Kievin, transmeton Anadolu.
Duke folur në kongresin vjetor të gazetës FAZ, lideri konservator theksoi disa pasiguri aktuale, veçanërisht në lidhje me bisedimet SHBA-Rusi dhe kushtet e propozuara të Moskës për një armëpushim të mundshëm në Ukrainë.
“Unë jam kundër diskutimit publik nëse ne mund t’i japim siguri Ukrainës përmes vendosjes së trupave në vend. Nuk mund ta imagjinoj që ne mund ta bëjmë këtë sot”, tha Merz.
Megjithatë, Merz theksoi se koalicioni i ardhshëm i qeverisë gjermane midis kristian-demokratëve do të vazhdojë me mbështetje të fuqishme financiare dhe dërgesa të armëve në Ukrainë.
“Ka disa lajme të mira. Sot pasdite, menjëherë pas vendimit të Bundesratit (dhoma e lartë e parlamentit), komiteti parlamentar i buxhetit do të mblidhet dhe do të lëshojë 3 miliardë euro për Ukrainën. Ky financim është kërkuar që nga shtatori i vitit të kaluar, por është shtyrë për shkak të situatës me buxhetin”, tha ai.
Me këtë pjesë të fundit prej 3 miliardë eurosh, ndihma totale e Gjermanisë për Ukrainën do të arrijë në 7 miliardë euro në vitin 2025, duke forcuar pozicionin e Berlinit si ofruesi kyç evropian i ndihmës ushtarake për Kievin.
Më herët, Bundesrati miratoi ndryshoi kushtetuese që do t’i mundësojnë qeverisë së ardhshme të rrisë ndjeshëm shpenzimet e mbrojtjes dhe investimet në infrastrukturë.
Sipas këtyre ndryshimeve, rregullat strikte fiskale të Gjermanisë do të lehtësohen, duke lejuar huamarrjen për shpenzime kritike të mbrojtjes, përmirësimin e shërbimit të inteligjencës, mbrojtjen e sistemit të teknologjisë informative (IT) dhe ndihmën për shtetet e sulmuara në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar.