Kancelarja gjermane Angela Merkel deklaroi se në Gjermani nuk do të vendoset detyrim për vaksinimin në kuadër të luftës kundër koronavirusit të ri (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA).
Merkel mbajti një konferencë për media me ministrin gjerman të Shëndetësisë pas një vizite të zhvilluar në Institutin Robert Koch (RKI).
“Objektivi është vaksinimi i personave mes moshës 12-49 vjeç por që ende jemi larg nga ky objektiv”, tha Merkel e cila bëri të ditur se vaksinat e administruara kanë qenë të dobishme në luftën kundër COVID-19.
Ajo theksoi se vlera e incidencës e cila ka qenë në një trend në rënie në kohët e fundit, është ndikuar negativisht nga varianti Delta dhe se në të ardhmen mund të shihen variante të tjera.
Duke iu kërkuar qytetarëve të bëjnë përpjekje për të mbrojtur veten nga COVID-19, si brenda dhe jashtë familjes, si dhe duke i ftuar të gjithë që të vaksinohen, Merkel tha: “Vaksina nuk ju mbron vetëm juve, por në të njëjtën kohë mbron edhe të afërmit dhe të dashurit tuaj. Sa më shumë të vaksinohemi aq më shumë mund të jetojmë të lirë”.
Në pyetjen e gazetarëve “nëse do të jetë apo jo e detyrueshme vaksina në Gjermani”, Merkel u përgjigj se inkurajojnë vaksinimin por që në vend nuk do të ketë vaksinim të detyruar dhe se detyrimi i vaksinimit nuk sjell besim.
Ajo shtoi se vala e tretë ende nuk është thyer plotësisht dhe se arritja e qëllimit për të vaksinuar 90 për qind të atyre mbi moshën 60 vjeç është më realiste se objektivi që kanë vendosur ndaj të rinjve.
Ministri i Shëndetësisë, Spahn tha se tashmë marrja e një termini për vaksinim është më e lehtë se më parë dhe popullit gjerman i bëri thirrjen “Vlerësoni mundësinë dhe vaksinohuni”.
Pasi rikujtoi se nëpër pika të tilla si xhami dhe fusha futbolli kanë organizuar fushata të vaksinimit, Spahn informoi se normat e vaksinimit janë të larta dhe se dëshirojnë të ruajnë këtë shpejtësi. /aa