Kancelarja gjermane Angela Merkel tha të enjten se koalicioni i udhëhequr nga SHBA-ja i cili gjithashtu përfshin Gjermaninë nuk arriti të ndërtojë shtet në Afganistan pas një lufte 20-vjeçare, transmeton Anadolu Agency (AA).
Deklarata e Merkelit erdhi gjatë një konference të përbashkët për media me presidentin e SHBA-së, Joe Biden në Shtëpinë e Bardhë.
Tërheqja e SHBA-së nga Afganistani pritet të përfundojë në fund të gushtit. Më shumë se 95 për qind e këtij procesi ka përfunduar, tha ushtria amerikane në fillim të kësaj jave.
“Për shumë, shumë vite, kemi shërbyer së bashku në Afganistan. Kemi qenë në gjendje të parandalojmë, në një farë mase, rreziqe terroriste, por fatkeqësisht nuk kemi qenë në gjendje të ndërtojmë një shtet siç do të dëshironim ta shihnim”, tha Merkel.
Gjermania kishte “një partneritet të mirë” me SHBA-në dhe kishte “kontakte shumë të mira” midis trupave gjermane dhe amerikane, shtoi ajo.
Krahas tërheqjes pothuajse të përfunduar të SHBA-së, Berlini tërhoqi ushtarët e saj të fundit të mbetur nga Afganistani në fund të muajit të kaluar pas gati dy dekadash, duke i dhënë fund operacionit ushtarak më vdekjeprurës të vendit që nga Lufta e Dytë Botërore.
Berlini kishte kontingjentin e dytë më të madh të trupave në Afganistan pas SHBA-së, me rreth 160 mijë ushtarë që ishin vendosur gjatë dy dekadave të fundit.
Në total 59 ushtarë gjermanë humbën jetën në Afganistan, përfshirë 35 në operacione luftarake. Misioni ushtarak në Afganistan u kushtoi taksapaguesve gjermanë rreth 12.5 miliardë euro (14.8 miliardë dollarë).
Të mërkurën, Gjermania shprehu mbështetje të fortë për qeverinë e angazhuar në luftë ndërsa kryengritësit talebanë marrin gjithnjë e më shumë kontrollin e territorit në Afganistan.
“Ne qëndrojmë fort në anën e qeverisë afgane. Jemi dakorduar me bashkësinë ndërkombëtare që të mbështesim qeverinë dhe presidentin (afgan)”, tha Rainer Breul, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme gjermane, në një konferencë javore për media në Berlin. /aa