Merkel: Njerëzit janë të detyruar të vaksinohen kundër COVID-19

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha se njerëzit janë të detyruar të vaksinohen kundër koronavirusit të ri (COVID-19) me qëllim për të mbrojtur të tjerët, raporton Anadolu Agency (AA).

Deklarata e saj vjen në momentin kur Gjermania përballet me një valë të re infeksionesh dhe një numër rekord të infeksioneve të reja në një ditë të vetme, që të enjten ishte 50.000.

“Ky virus është shumë, shumë i rëndë. Ju keni të drejtë të vaksinoheni. Por, në një farë mase, si anëtar i shoqërisë, ju gjithashtu keni detyrë të vaksinoheni për të mbrojtur veten dhe të tjerët”, tha Merkel, duke biseduar me kryeministren e Zelandës së Re, Jacinda Ardern, në margjinat e Forumit vjetor të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor, i cili në mënyrë virtuale u mbajt këtë vit.

Rreth dy të tretat e 83 milionë njerëzve në Gjermani janë vaksinuar plotësisht. Për shkak të rritjes së re të numrit të të infektuarve, ligjvënësit në këtë vend po shqyrtojnë masa të reja.

Gjatë bisedës, Merkel dhe Ardern shprehën pakënaqësi për shtimin e dezinformatave në rrjetet sociale.

“Në kohët e vjetra kemi pasur ngjarje të caktuara që kanë ndodhur në shoqërinë tonë. Televizioni raportonte për të dhe të nesërmen të gjithë flisnin për të. Sot të gjithë marrin pjesë në të në rrjetet sociale”, tha Merkel. /aa